Vendosni fjalën kyçe....

Berisha nuk mban përgjegjësi për humbjen e thellë: Nuk tërhiqem, farsë elektorale, s’u pranua emri im në fletën e votimit


Pas humbjs të thellë që pësoi në pothuajse gjithë bashkitë e vendit, ish kryemi nistri Sali Berisha ka dalë  në një deklaratë për mediat.

Berisha i cilësoi këto zgjedhje si farsë zgjedhore dhe nuk pranoi humbjen duke thënë se Edi Rama ka manipuluar zgjedhjet dhe ka blerë në mënyrë masive votën.

Berisha citon dhe raportin e OSBE/ODHIR , teksa tha se raporti vë gishtin në problemet më madhore të këtyre zgjedhjeve duke filluar nga makineria shtetërore elektorale, si një përbindësh shkatërrimtar i procesit zgjedhor.

“Farsa zgjedhore 2023 si farsa elektorale më e shëmtuar e Shqipërisë dhe europës po kundërmon çdo ditë  e më shumë. Me këtë rast unë vlerësoj raportin e OSBE-ODHIR të autoriteteve lokale rajonale dhe deklaratën e përfaqësues të Parlamentit Europian të cilët dëshmuan se zgjedhësit shqiptarë votuan nën presion dhe jo të lirë. Kjo është kryefjala e këtyre zgjedhjeve, ku me presione të të gjitha llojeve Edi Rama ndryshoi në mënyrë antikushtetuese, antiligjore vullnetin e shqiptarëve, ndryshoi rezultatin e votimit.

Raporti paraprak, ndonëse është paraprak dhe jo përfundimtar vë gishtin në problemet më madhore të këtyre zgjedhjeve duke filluar nga makineria shtetërore elektorale, si një përbindësh shkatërrimtar i procesit zgjedhor, si një akt që përmbys pabarazinë më të madhe në procesin zgjedhor, ndalet në të gjitha format anti-ligjore të ndërhyrjes në vullnetin e shqiptarëve nga qeveria, nënvizon blerjen masive të votës, gjer edhe presionet e tjera të administratës mafioze, më e pranishme se kurrë në qendrat e votimit dhe procesin e votimit. Përpjekjet për të shkëputur ndonjë gjysme frazë nga përfaqësuesit më të nderuar të institucioneve prestigjioze në BE, OSB-ODHIR dhe Parlamentit Europian, siç e patë vetë ata refuzuan të nxjerrin nga goja çdo cilësor që iu kërkua nga mediat e Ramës për ta tundur si flamur të këtyre zgjedhjeve më të manipuluarat, më të rrënuarat ndonjëherë në historinë e Shqipërisë.”

Berisha tha se nuk ka ndërmend të largohet pasi sipas tij nuk i ka humbur zgjedhjet, por PS i ka fituar me mbështetjen e krimit, duke u shprehur për rastin e Shkodrës se qytetarët votuan nën pushtimin e bandave të krimit.

“Shkodra votoi nën pushtim të vërtetë. Të gjitha poll e kundërshtarëve, por edhe tonat e nxirrnin Bardh Spahinë 14-16 pikë para. Nëse mendon ti ose ndokush tjetër se tërhiqet Sali Berisha para krimit, ai sheh veshin e tij pa pasqyrë. Kurrë nuk tërhiqem para bandave të krimit shtetëror dhe jo shtetëror. Shkodra është shembulli më i shëmtuar në të cilën u votua si në rrethim nga banda të Edi Ramës. Në Shkodër u përdorën sasi kolosale, dhjetëra milionë euro, jemi bindur që qytetarët e Shkodrës zgjedhjen e krimit, pushtetin e krimit s’do ta pranojnë, kjo është përgjigja ime për ju“, tha Berisha.

Ai e cilësoi mungesën e emrit të tij në fletën e votimit, si një prej shkaqeve kryesore për humbjen në zgjedhjet vendore, duke thënë se Rama privoi të gjitha fondet që i takonin me kushtetutë koalicionit Bashkë Fitojmë. Gjithashtu shtoi se një tjetër faktor për humbjen ishte edhe mungesa e komisionerëve dhe numëruesve të opozitës.

“E kemi të qartë si në dritën e diellit përpjekjen e narko shtetit për të asgjësuar opozitën e vërtetë si pjesëmarrëse në zgjedhje. Ajo jo vetëm i konfiskoi vulën jo vetëm e privoi nga të gjitha fondet që i takonin me ligj dhe kushtetutë por kaloi në aktin më absurd të mohimit të aktit të koalicionit për të zgjedhur kryetarin e vetë dhe i tmerruar nga emri i Sali Berishës nuk lejoi regjistrimin e tij. Një aleancë krimi në nivel politik nëntokësor apo terreni, u demonstrua si kurrë ndonjëherë në historinë e vendit trinomi Rama-Doshi-Brava. Ishte shëmtia më e madhe me veprimet e tyre në këtë proces zgjedhor. Siç konstaton me të drejtë raporti i vëzhguesve, blerja e votës ishte një akt masiv dhe i shëmtuar. Mungesa e komisionerëve dhe numëruesve të opozitës të vërtetë të koalicionit Bashkë Fitojmë ishte një akt tjetër pabarazie e madhe. Dhuna, terrori ndaj eksponentëve të opozitës është përdorur gjer në pengmarrje të tyre”– u shpreh Berisha.