Kryetari i KQZ, Ilirjan Celibashi, ka komentuar keqpërdorimin e pajisjeve elektronike nga komisionerët, ku dolën disa pamje teksa ato hidheshin në makinë pa kujdes.
Gjatë një deklaratë për mediat, Celibashi tha se ishte i keqardhur për ato pamje dhe shtoi se ai ishte një akt i dënueshëm.
Por sipas Celibashit, ai gjest i disa personave, nuk mund të përdorej për të errësuar përpjekjet e KQZ-së për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor.
Kujtojmë se ditën e djeshme, lidhur me këto pamje, kryeministri Edi Rama akuzoi KQZ-në për dështim të organizimit të procesit zgjedhor.
“Ka mundësi që në një pjesë të madhe të qendrave të votimit të ketë funksionuar ose jo. Në momentin që ne do i kemi në KQZ këto pajisje, do të shikojmë nëse është bërë identifikimi elektronik apo jo. Janë 10 % e qendrave të votimit që janë raportuar probleme me pajisjet e identifikimit elektronik, por kjo nuk do të thotë se nuk është kryer procesi i votimit, votimi ka nisur me vonesë.
Jam ndierë shumë i keqardhur dhe i inatosur kur kam parë ato pamje të hedhjes së pajisjeve elektronike. Nuk është justifikim, ky është fakti. Nëse dikush do të ketë interes të shikojë atë pamje, do të ishte e panevojshme të them që KQZ do të ketë qëndrimet dhe vlerësimet e veta.
Nuk është cinizëm që ai xhest të errësojë të gjitha përpjekjet e ndershme dhe korrekte që janë bërë për organizimin e procesit zgjedhor. Por mund të them që ai është një gjest i dënueshëm. Është e rëndësishme që të dimë faktet dhe mbi to të japim gjykimet tona”, u shpreh Celibashi.