Vendosni fjalën kyçe....

SHBA/ 18-vjeçari hap zjarr ndaj shtëpive e makinave, tre të vrarë e gjashtë në New Mexico


Një person i armatosur 18-vjeçar ka vrarë të paktën tre persona dhe ka plagosur gjashtë të tjerë, duke përfshirë dy oficerë policie, në të shtënat masive të fundit në Amerikë. Incidenti në veriperëndim të Nju Meksikos përfundoi kur i dyshuari i vetëm u qëllua për vdekje nga oficerët, tha policia.

Vrasjet ndodhën të hënën në qytetin Farmington, shtëpia e rreth 46,000 banorëve, në rajonin Four Corners ku takohen kufijtë shtetërorë të Neë Mexico, Arizona, Utah dhe Kolorado. Policia nuk dha hollësi për autorin, përveç moshës dhe gjinisë së tij.

Shkollat ​​në zonë u mbyllën në orën 11:15, ndërsa policia iu përgjigj të shtënave me armë, në një rrugë të mbushur me shtëpi dhe kisha. Disa minuta pasi oficeri i parë mbërriti në vendngjarje, i armatosuri u qëllua, tha shefi i policisë së Farmington, Steve Hebbe. Urdhri i bllokimit u hoq gati dy orë më vonë, pasi autoritetet lokale arritën në përfundimin se nuk kishte të dyshuar të tjerë të përfshirë.

Hebbe tha se personi i armatosur dukej se po qëllonte në çdo gjë që po shihte pa shënjestruar ndonjë individ, shtëpi apo kishë specifike. I dyshuari qëlloi të paktën gjashtë shtëpi dhe tre makina, duke përdorur të paktën tre armë, duke përfshirë një pushkë sulmi AR-15.

Dy oficerët e plagosur – njëri nga Departamenti i Policisë së Farmingtonit dhe tjetri nga Policia e Shtetit të Nju Meksikos – janë në gjendje të qëndrueshme në spitalin e San Juan.

Incidenti në Farmington vjen dy ditë pas të shtënave në Yuma, Arizona, që la dy persona të vdekur dhe pesë të plagosur. Në fillim të këtij muaji, tetë persona u vranë, pa llogaritur personin e armatosur, dhe të paktën shtatë u plagosën në të shtënat në një qendër tregtare në Allen, Teksas.