Ambasadorja e SHBA-së në Shqipëri Yuri Kim ka ndarë në rrjetet sociale një foto me prokurorët e SPAK në Shtëpinë Ryerson.
Kim shkruan se vlerëson prokurorët për profesionalizmin në punën e tyre gjatë këtyre 3 viteve dhe inkurajon këtë institucion ligjor të vazhdojë të godasë korrupsionin e krimin. Ajo shton se puna e tyre duhet të garantojë se askush nuk është mbi ligjin.
“Ishte nder të ftoja prokurorët e SPAK-ut në Shtëpinë Ryerson. Shprehim falënderime dhe respekt për këta prokurorë të jashtëzakonshëm, për guximin dhe profesionalizmin e tyre në përballjen me korrupsionin dhe krimin e organizuar gjatë këtyre tre viteve.
Tani është koha të shtohen këto përpjekje dhe t’u jepet fund mënyrave të vjetra të pandëshkueshmërisë. SPAK po jep gjithnjë e më shumë rezultate që tregojnë se askush – sado i pasur apo i fuqishëm – nuk është mbi ligjin. SHBA do të vazhdojë të mbështesë fort reformën në drejtësi, përfshirë SPAK-un, sepse ne duam një aleat që është i fortë, i sigurt dhe i begatë dhe sepse ne besojmë – siç besojnë edhe shqiptarët – që Shqipëria e ka vendin në BE”.- shkroi ambasadorja.