Nga Endrit Habilaj
Skandali i fshehjes së provave që tregojnë përfshirjen e një prokurori të posaçëm në bisedat e një grupi të strukturuar kriminal me veprimtari trafikun ndërkombëtar të drogës merr përmasa edhe më të mëdha, nëse kihen parasysh veprimet dhe mosveprimet e prokurorit Dritan Prençi dhe gjyqtares, Irena Gjoka.
Dosja ‘Shpirti’, ku dëshmia e Mariglen Shushës implikon prokurorin e posaçëm, Ened Nakuçi në variantin italian të saj, por nuk e implikon në variantin shqiptar është një këmbanë alarmi.
Në bashkëpunim apo jo, Dritan Prençi dhe Irena Gjoka mund të kenë konsumuar veprën penale të shpërdorimit të detyrës. Pse? Kushtet për të përmbushur këtë akuzë janë veprimet dhe mosveprimet e një funksionari, që për pasojë shkaktojnë, në rastin e sistemit të drejtësisë, deformim, ose moszbardhje të plotë të të vërtetës.
Dritan Prençi, me veprimin e tij për të hequr nga dosja emrin e Ened Nakuçit ka shpërdoruar detyrën. Irena Gjoka, si gjyqtare paraprake e çështjes me mosveprimin e saj për të urdhëruar prokurorin që të hetonte edhe këtë detaj që pala italiane kishte dërguar në Shqipëri, ka shpërdoruar edhe ajo besimin.
Veprimet dhe mosveprimet e prokurorit të posaçëm dhe gjyqtares së posaçme mund të jenë rastësi, por koordinimi mes tyre ekziston, qoftë edhe nëse është i pavullnetshëm. Për këtë arsye, në lidhje me këtë dosje nevojiten hetime të thelluara, jo më shumë për të provuar apo hetuar prokurorin Ened Nakuçi se sa prokurorin Dritan Prençi dhe gjyqtaren Irena Gjoka.
Nëse kjo nuk ndodh, atëherë vendi rrezikon që të përfundojë ashtu siç ka paralajmëruar Kryeministri Edi Rama disa muaj më parë…një republikë prokurorësh e gjyqtarësh, që janë edhe zyrtarë të pazgjedhur nga populli.
VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e VoxNews.al