Kandidati fitues i koalicionit “Bashkë Fitojmë” për Bashkinë e Kavajës, Fisnik Qosja, tregoi në një intervistë për emisionin “Opinion” se karrierën në Partinë Demokratike e ka nisur duke ngjitur postera të kësaj force politike.
Qosja tha se kur ka fituar primaret, ka marrë një përgjegjësi mjaft të madhe, atë të votës për të kandiduar për Bashkinë Kavajë.
Pjesë nga biseda:
Blendi Fevziu: Si vendosët që të kandidonit për PD-në?
Fisnik Qosja: Unë jam i rritur në PD. E kam nisur karrierën time duke ngjitur postera në PD. Më pas në vitin 2009, jam zgjedhur kryetar i Forumit Rinor të PD-së për Kavajën. Jam zgjedhur anëtar i Kryesisë në Kavajë. Jam zgjedhur anëtar i Këshillit Kombëtar të PD-së. Kam qenë kandidat për deputet në listat shumëemërore në vitin 2017. Më pas, kulmi ishte kur fitova primaret, një super garë dhe aty dola fitues dhe kjo ishte një spunto që unë të marr një përgjegjësi. Vij nga përgjegjësia e votës. Kam studiuar për drejtësi.
Blendi Fevziu: Cila ishte lidhja më e madhe që ju kishit me qytetin?
Fisnik Qosja: Unë jam autokton në qytet. Vij nga një familje tradicionale kavajase, me prindër punëtorë dhe të thjeshtë, më kanë rritur me frymën e dashurisë për njerëzit.