Vendosni fjalën kyçe....

Njihuni me Ylli Merkajn, autorin e dështimit të votimit elektronik


Tre ditë më parë, teksa qindra mijëra qytetarë iu drejtuan kutive të votimit për zgjedhjet vendore të 14 majit, u përballën me një situatë të pazakontë, e cila duhet të garantohet nga KQZ-ja.

Në mbi 500 qendra votimi, pajisja për identifikimin elektronik të votuesve ishte jashtë funksionit.

Ndërsa kreu i KQZ-së Celibashi ka përgjegjësi morale për problemin madhor teknik me të cilën u përballën qytetarët, personi që mban rolin ligjor dhe garanton hallkat e procesit teknik është Sekretari i Pargjithshëm i KQZ-së, Ylli Merkaj.

Si për ironi të fatit, i pari që u përball me këtë problem ishte kreu i KQZ, Ilirjan Celibashi. Bëhet fjalë për pajisje, për të cilat janë paguar miliona euro për blerjen e mirëmbajtjen e tyre me qëllimin e vetëm, funksionimin  e tyre një ditë njëherë në dy vjet kur ka zgjedhje.

Pas përfundimit të votimit, një video ku pajisjet e identifikimit elektronik hidheshin në karroceritë e kamionëve si kuti me gozhdë, bëri xhiron e rrjeteve sociale duke u kthyer në virale.

Është përgjegjësi kryesore e Ylli Merkajt, që jo vetëm pajisjet për të cilat janë paguar milione euro të funksionojnë një ditë në dy vjet, por edhe për mirëmbajtjen e tyre.

Mosfunksionimi i pajisjeve të identifikimit elektronik, çoi në irritim të votuesve të cilëve iu desh të prisnin për një kohë të gjatë për të hedhur votën, teksa identifikimi i tyre nisi të bëhej manualisht.

Reagime të ashpra lidhur me mosfunksionimin e pajiseve të identifikimit elektronik pati edhe nga kryeministri Rama e krerët e partive opozitare, sipas të cilëve e gjitha ishte bërë në mënyrë të qëllimtë për të prishur procesin zgjedhur e për të penguar qytetarët të votojnë.