Rikthehet pas dy vitesh stërvitja më e madhe ushtarake e Forcave të Armatosura Amerikane në Europë, “Defender Europe 23”. Stërvitja do demonstrojë aftësinë e ushtrisë amerikane për të vendosur me shpejtësi trupa dhe armatim luftarakë në teatrin evropian.
Defender 23, është garanci e përkushtimit te amerikanëve ndaj aleateve dhe një mesazh i qartë për ata që sot kërcënojnë paqen e Europës, e cila përjeton pasojat e luftës në Ukrainë.
Duke filluar nga data 22 maj deri në 2 qershor 2023 , Shqipëria do të jetë sërish një ndër vendndodhjet kryesore të stërvitjes ku do të dislokohen mijëra ushtarakë nga ushtria amerikanë, nga vendet anëtare të NATO-s. Stërvitja “Defender Europe 23”që do të mbahet edhe në vendin tonë, është e një rëndësie strategjike sa i takon sigurisë rajonale dhe do të luajë një rol kyç e përmes gatishmërisë së lartë, ndërveprueshmërise dhe operacionalitetit. Qëllimi i pjesëmarrjes së Forcave të Armatosura shqiptare në këtë stërvitje me 800 trupa do të jetë demonstrimi i aftësive për të pritur, koordinuar dhe për t’u stërvitur e trajnuar me forcat amerikane dhe ato të NATO-s, në një ambient operacional kompleks.
Për të krijuar infrastrukturën dhe kushtet e zhvillimit të stërvitjes, Forcat e Armatosura do të vendosin në dispozicion të saj, hapësirën ajrore, hapësirën detare si dhe poligonin kombëtar të Bizës në Martanesh, bazën e Zall Herrit dhe atë të Farkës. Sakaq ka nisur puna me qëllim koordinimin e transportit dhe të lëvizjes së kolonave ushtarak me mijëra ushtarakë dhe mjete te artilerisë së rendë.
Gjatë “Defender 21” në bazën ajrore taktike të Kuçovës u instalua sistemi i mbrojtjes raketore tokë ajër Patriot raketave balistike, i cili tërhoqi jo pak vëmendje për mesazhin qe dha. Stërvitja e përbashkët shumëkombëshe “Defender 23” drejtohet nga Komanda e ushtrisë Amerikane në Europë (USAEUR) në të do të demonstrohen aftësitë ndërvepruese të Shteteve të Bashkuara me ushtritë aleate dhe partnere të NATO-s me pjesëmarrjen e 7000 ushtarakë amerikanë, si dhe 17.000 trupave nga 20 vende anëtare dhe partnere të NATO-s si dhe do te shtrihet ne në Shqipëri, Bullgari, Kroaci, Kosovë, Mal të Zi, Maqedoninë e Veriut dhe Slloveni.
Ditën e hënë, më 22 Maj “Defender Europe 2023” vjen për publikun kureshtar në Ditën e Vizitorëve të Shquar në Tiranë, në Sheshin “Nënë Tereza” ku përveç drejtuesve te shtetit do të marrin pjesë edhe katër gjeneralë të lartë të ushtrisë amerikane.