Vendosni fjalën kyçe....

Alibeaj i përgjigjet Berishës: Nuk jam me parimin e ‘Xenit’, për tu paguar për gjithçka, largimi yt çlirim dhe frymëmarrje për demokratët


Ish kryetari i komanduar i PD-së, Enkelejd Alibeaj i është përgjigjur sot Sali Berishës lidhur me akuzën e këtij të fundit se u shpërblye nga Rama vetëm gjatë ditës së sotme me 220 mijë euro.

Në postimin e tij, Alibeaj është shprehur me tone të ashpra kundrejt figurës së Berishës, duke thënë se Berisha dhe soji i tij i shërben Ramës për të justifikuar korrupsionin ku e ka zhytur qeverinë.

Alibeaj në lidhje me pagesën që e akuzoi sot Berisha, shkruan se “nuk kam qenë kurrë e nuk jam me parimin e Xenit, për tu paguar për gjithçka”, duke iu referuar Shkëlzen Berishës.

Më tej Alibeaj i bën thirrje Berishës se largimi i tij nga politika do jetë çlirim dhe frymëmarrje për demokratët.

 

Reagimi i Alibeajt

Pasi u bojkotua masivisht nga demokratët dhe shqiptarët, Sali Berisha vazhdon të hedhë llum dhe baltë si e vetmja mënyrë për t’i mbijetuar katastrofës së vet elektorale. i përjashtuari i madh nga politika, me 103 mijë vota demokratësh kundër tij e me 200 mijë të tjerë që e refuzuan dëshmoi qartë kush i ka shërbyer kujt!

Edi Ramës i duhet Sali Berisha dhe soji e sorollopi i tij i korruptuar për të justifikuar korrupsionin ku është zhytur ai dhe qeveria e tij.

Unë nuk kam qenë kurrë e nuk jam me parimin e Xenit, për tu paguar për gjithçka.

Sali, dorëheqja ime është akt që shkon për të mirën e demokratëve, largimi yt është çlirim dhe frymarrje për ta..