Kandidati i PD-së për Tiranën në zgjedhjet e 14 majit Roland Bejko tha se sa kohë Berisha të jetë në PD, kryeministri Rama do rrijë në pushtet.
Ai ishte i ftuar mbrëmjen e djeshme në emisionin Open ku tha se Berisha është kundërshtari i tij, njësoj siç janë kryeministri Rama e kreu i Partisë së Lirisë Meta.
Bejko tha gjithashtu se Berisha nuk mund të vijë më në pushtet.
“Sali Berisha duhet të humbiste. U vërtetua që Berisha është i fortë, por i pamjaftueshëm për të ardhur në pushtet. Unë nuk kam thënë që jam shumica. Saliu humbi nga vetja dhe jo nga ne. Antiamerikanizmi i përfaqësuar nga Sali Berisha nuk triumfoi dot. Edi Rama sa të jetë Sali Berisha do të rrijë në pushtet sa të dojë. Ne do të rritemi. Unë do ndërtoj projektin tim pa berishizmin dhe pa korrupsion.” – tha Bejko.
Gjatë bisedës në studio, ai tha gjithashtu se fushata e tij ishte sabotuar dhe se në ato kushte ai e kishte pasur të pamundur të merrte më shumë.
Bejko u rendit i katërti në zgjedhjet e 14 majit në Tiranë, me 4.35 të votave, pas Arlind Qorit të Lëvizjes Bashkë.