Ish-kryeministri Sali Berisha ka bërë sërish një dalje për mediat ku deklaroi se zgjedhjet e 14 majit ishin farsa më e madhe elektorale që ka përjetuar vendi ynë.
Berisha tha se blerja e votës u denoncua nga mediat shqptare dhe ndërkombëtare, si edhe nga komisionet e vëzhgimit, duke shtuar se ky është një tipar i industrisë mafioze shtetërore të blerjes së votës.
“Blerja e votës nuk u shfaq për herë të parë në farsën e vitit 2023. Ajo është denoncuar nga shqiptarët, mediat shqiptare dhe ndërkombëtare, komisionet e vëzhgimit dhe në raste të tjera. Por, në këtë farsë, si kurrë më parë, ndërhyrja ishte e atyre përmasave të tmerrshme sa rrëzoi euron, monedhën më të fuqishme të Europës, në nivele që ajo nuk i kishte përjetuar kurrë më parë. Pra, ky është një tipar i industrisë mafioze shtetërore të blerjes së votës. Por, farsa elektorale e majit 2023, gërshetoi në mënyrën më të shëmtuar dy stile të farsave elektorale. Stilin e narkoshtetit dhe mafies së tij me stilin Putin, i cili parakupton përdorimin e të gjitha mjeteve të shtetit për kontrollin e votës së lirë të qytetarëve dhe ndryshimin e rezultateve. Në dallim nga zgjedhjet e mëparshme, në këto zgjedhje u rikthye me të gjithë pasojat e shëmtinë e tij, loja me listat e votimit, përjashtimi i zgjedhësve nga qendrat e votimit nëpërmjet listave të votimit. PD e denoncoi publikisht aktin kriminal elektoral të Edi Ramës dhe ministrit të familjes së tij, Çuçi, të cilët ndryshuan qendrat e votimit të 1.3 milionë zgjedhësve.” tha Berisha.
Lidhur me dorëheqjen e djeshme të Enkelejd Alibeajt, Berisha shkoi më tej me akuza kur tha se Alibeaj, pas dorëheqjes, mori sot nga Edi Rama 220 mijë euro shpërblim, ndërsa shtoi se se dy personave në PD u është vënë “vijën e kuqe” dhe se nuk do të ketë kurrë një diskutim apo negociatë me ta, duke përmendur përveç Alibeajt edhe Lulëzim Bashën.
“Qëndrimi dhe deklarata ime është kjo: dy persona janë të larguar në mënyrë përfundimtare nga PD, Lul Brava dhe Ali Basha, që mori vetëm sot shpërblim nga Rama 220 mijë euro. PD është e hapur për të gjithë të tjerët, debat, për negociata, për çfarë të dëshirojnë. Por, dy persona pengje të Ramës, u përdorën pa mëshirë nga ai për të goditur opozitën”, tha Berisha.