Vendosni fjalën kyçe....

Emergjencat civile, Ministria e Mbrojtjes harton planin kombëtar për reagimin


Vit pas viti Shqipërisë nuk i kanë munguar episode të lidhura me fatkeqësitë natyrore dhe nevojën e ndërhyrjes së strukturave të emergjencave civile.

Të tilla kanë qenë përmbytjet e vazhdueshme në zona të ndryshme të vendit por kryesisht në Veri por edhe tërmeti i nëntorit 2019 apo zjarret në rajone të ndryshme në kohë vere.

Ngritja e strukturave të posaçme me një kuadër ligjor të përafruar si dhe parashikimi i të gjitha hallkave të vendimmarrjes apo financimit kanë qenë gjithmonë pjesë e debatit dhe tashmë duket se Ministria e Mbrojtjes ka përfunduar një Plan Kombëtar për Emergjencat Civile që trajton të gjithë këto element.

I nxjerrë për konsultim së fundmi ky plan parashtron gjendjen aktuale të institucionit të përfshirë direkt me emergjencat që është Agjencia e Mbrojtjes Civile ndërkohë trajton edhe rolin që merr secili nga institucionet qoftë qendror apo varësie në një situatë emergjence.

Një kapitull i rëndësishëm i planit është ajo për financimin duke parashtruar se aktualisht buxheti i mbrojtjes civile i institucioneve qendrore përbëhet nga buxheti i shtetit dhe buxheti vjetor i çdo ministrie, i parashikuar si zë më vete, për zvogëlimin e riskut të fatkeqësive dhe mbrojtjen civile.

Bazuar në kuadrin ligjor aktualisht në fuqi, të gjitha ministritë kryesore me përgjegjësi në fushën e zvogëlimit të riskut nga fatkeqësitë dhe për mbrojtjen civile (mbrojtja civile, mbrojtja, punët e brendshme, transporti, infrastruktura, bujqësia, shëndetësia, energjetika, arsimi, mjedisi, kultura), kanë detyrim të kenë planifikim buxhetor të dedikuar për zvogëlimin e riskut nga fatkeqësitë dhe mbrojtjen civile nga 2% – 4% të totalit të buxhetit vjetor” thuhet në dokument.

Vetë agjencia Kombëtare e Mbajtjes Civile siguron paratë nga buxheti i shtetit, donacione të ndryshme si dhe burime të tjera që i lejon ligji.

Sa i takon rolit të pushtetit vendor në këtë zinxhir plani parashtron se Bashkitë, për zvogëlimin e riskut nga fatkeqësitë dhe mbrojtjen civile, si dhe kryerjen e detyrave në zbatim të këtij ligji, mbështeten në parashikimin minimal prej 4 % të totalit të buxhetit vjetor të tyre, të cilat sigurohen nga fondet e kushtëzuara të buxhetit të shtetit.

Koordinimi i strukturave të mbrojtjes civile

Plani Kombëtar i Emergjencave Civile parashikon mënyrën sesi koordinohen institucionet hap pas hapi në çdo rast.

“Rëndësia e koordinimit del më në pah veçanërisht në fazën e përgjigjes, e cila ndryshon me shpejtësi dhe në të cilën nevojitet një koordinim i mirë për të shmangur mangësitë në shërbimet për popullsinë e prekur, për të dyfishuar përpjekjet, për të shmangur llojet e papërshtatshme të ndihmës dhe ndërhyrjes, përdorimin joefikas të burimeve, vonesat, pengesat, si dhe reagimin dhe vendimmarrjen e ngadaltë në raport me ndryshimet e shpejta të rrethanave” thuhet në plan.

Në këtë kontekst shkëmbimi i informacionit mes gjithë institucioneve të përfshira cilësohet si tejet i rëndësishëm ndërkohë që veprimet duhet të koordinohen nga një institucion për të gjithë në mënyrë që përgjigja të jetë efikase.

Plani parashikon edhe fazat që ka një ndërhyrje ku së pari parandalimi dhe lehtësimi, më pas gatishmëria, Përgjigja, rimëkëmbja. Për secilën prej këtyre fazave plani ndalet në mënyrë të detajuar si dhe duke nënvizuar rolin që ka çdo institucion në çdo hallkë.

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Monitor