Kandidati i koalicionit Bashkë Fitojmë për Kamzën, Arjan Hoxha, ka sfiduar kryebashkiakun e zgjedhur Rakip Suli, pas humbjes në zgjedhjet e 14 majit, të cilat i cilësoi të manipuluara.
Ai tha se propozon një votim me fletë votimi fizike në 10 qendra votimi në këtë bashki dhe nëse Suli fiton, do tërhiqet nga gara politike.
Hoxha ishte sot para KQZ-së ku tha se ka provatë ndryshme për manipulimin e rezultatit në Kamëz, ku votimi e numërimi ishin elektronike.
“Kemi disa pamje filmike, shkëmbime në komunikim mes individëve të pavarur nga ana jonë. Votova Hoxhën e më doli Suli, Kishte disa që thoshin nuk votova se s’më punoi. Ata bënin dorëzim të kontrolluar me patronazhistë. Shumë vota janë klikuar nga operatorët dhe jo nga votuesit. E them me përgjegjësi të plotë që do i dorëzoj në KQZ. Do kërkojmë ballafaqim në kërkesat tona. Në Kamëz e them me përgjegjësi, PD do kishte vota më tepër. Unë e sfidoj Rakip Sulin të vendosin në 10 qendra fletë fizike dhe nëse fiton ai, unë i shtrëngoj dorën dhe tërhiqem nga gara ime politike. Kjo është në dëm të gjithë votuesve shqiptarë, ky është krim zgjedhor. Kamza është e vjedhur sot për këtë mbaj përgjegjësi. Ishte rezultat i paracaktuar. E vetmja mënyrë të merrej Kamza ishte votimi elektronik, makineri e krimit zgjedhor. Unë bëj thirrje të vendosen nën sekuestro.” – tha Hoxha.