Vendosni fjalën kyçe....

Ministri Peleshi vizitë zyrtare në Slloveni: Intensifikojmë bashkëpunimin në fushën e mbrojtjes


Ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi vizitoi sot Slloveninë, , për të diskutuar rreth bashkëpunimit mes dy vendeve në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes.

Me ftesë të Ministrit të Mbrojtjes së Sllovenisë Marjan Ŝarec,  Peleshi në takimin me homologun e tij, vlerësuan marrëdhëniet shumë të mira dhe bashkëpunimi mes Shqipërisë dhe Sllovenisë jo vetëm në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes.

Ministri Niko Peleshi theksoi se Sllovenia është një partnere e Shqipërisë dhe një mbështetëse e saj në rrugën e gjatë të integrimit në Bashkimin Europian.

Në konferencën e përbashkët për mediat, Peleshi tha se e njoftoi homologun e tij Ŝarec mbi zhvillimet e fundit politike në Shqipëri, mbi reformat e realizuara si dhe angazhimin maksimal të qeverisë shqiptare drejt përmbushjes së objektivit madhor atë të anëtarësimit në Bashkimin Europian.

Duke vënë theksin tek roli i Shqipërisë në favor të fqinjësisë së mirë, prosperitetit dhe promovimit të vlerave demokratike në rajonin e Ballkanit Perëndimor, ministri Peleshi tha se kërkoi nga homologu slloven të vijonte mbështetjen në përfshirjen e Kosovës në nisma rajonale, në të cilat ajo mund të japë kontributin e saj dhe të jetë një vlerë e shtuar për zhvillimin e bashkëpunimit rajonal.

Ministri i Mbrojtjes e njohu ministrin Ŝarec edhe me reformat dhe vëmendjen e veçantë  të qeverisë shqiptare për reformimin dhe modernizimin e Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë, duke përfshirë këtu investime në fushën e mbrojtjes kibernetike, në industrinë ushtarake si dhe përmirësimin e ndjeshëm të trajtimit financiar të ushtarakëve.

“Një vëmendje të veçantë po I kushtohet reformave në fushën e edukimit dhe trajnimit të personelit të Forcave të Armatosura, për të cilat personalisht besoj fort se një investim i tillë sot do të sjellë një të ardhme më të ndritur dhe cilësore për ushtrinë shqiptare”, u shpreh Ministri i Mbrojtjes.

Ministrat e Shqipërisë dhe Sllovenisë shkëmbyem ide dhe ranë dakord të intensifikojnë  bashkëpunimin në fushën e sigurisë dhe të mbrojtjes si dhe angazhuan stafet respektive në hartimin dhe implementimin konkret të këtyre ideve.