Vendosni fjalën kyçe....

U rrëzua nga lartësia dhe humbi jetën, policia ndalon pronarin e pallatit dhe administratorin e firmës në Vlorë


Policia ka ndaluar dy persona lidhur me rrëzimin aksidental të punonjësit të ndërtimit në Vlorë.

Në prangat e policisë ranë shtetasi M.H 70 vjeç, bashkëpronar i pallatit ku punonte viktima dhe A.K 53 vjeç administrator dhe drejtues teknik i firmës ku po ndërtohej pallati.

Nga verifikimi rezultoi se punimet ku po ndërtohej pallati po kryheshin pa lejen përkatëse.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Vlorë, në përfundim të veprimeve hetimore të kryera në drejtimin e Prokurorisë, për ngjarjen e ndodhur ditën e sotme, në lagjen “Uji i Ftohtë”, ku dyshohet se aksidentalisht ra nga lartësia e pallatit në të cilin ishte duke punuar, shtetasi A. P., 60 vjeç, i cili për pasojë humbi jetën, arrestuan shtetasit:

-M. H., 70 vjeç, banues në Vlorë, bashkëpronar i pallatit që po ndërtohej, për veprën penale “Ndërtimi i paligjshëm” me pasoja të rënda, me qëllim fitimi, pasi nga verifikimet e kryera ka rezultuar se punimet në këtë pallat po kryheshin pa lejen e organeve kompetente;

-A. K., 53 vjeç, me detyrë administrator dhe drejtues teknik i firmës që po ndërtonte këtë pallat, banues në Vlorë, për veprat penale “Ndërtimi i paligjshëm” me pasoja të rënda, me qëllim fitimi dhe “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë”.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme hetimore”-njofton policia.