Vendosni fjalën kyçe....

Afrika e Jugut do prodhojë vaksinën për parandalimin e HIV-it


Afrika e Jugut do bëhet një qendër prodhuese për një version të përballueshëm të ilaçit inovativ për parandalimin e HIV-it, CAP-LA.

Ky veprim pritet t’u sigurojë miliona njerëzve qasje në ilaçin në një rajon që Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) thotë se përbën pothuajse dy të tretat e infeksioneve të reja me HIV në nivel global.

Ilaçi, kabotegravir me veprim të gjatë (LA), do prodhohet nga Cipla Limited, një kompani farmaceutike shumëkombëshe indiane, në fabrikat e saj në Benoni ose Durban, raportoi The Guardian të enjten.

Vitin e kaluar, OBSH e përshkroi CAB-LA si një ‘mundësi parandalimi të sigurt dhe shumë efektive për njerëzit në rrezik të konsiderueshëm të infeksionit HIV’. Thuhet se ilaçi bllokon HIV-in të hyjë në qeliza, duke zvogëluar masivisht rrezikun e infektimit dhe është vërtetuar nga kërkimet se zvogëlon shanset e marrjes së virusit përmes seksit.

Zhvilluesit e ilaçit, Viiv Healthcare dhe organizata e shëndetit publik të mbështetur nga Kombet e Bashkuara, Medicines Patent Pool, thanë se marrëveshjet e nënlicencës për prodhimin e versionit gjenerik u nënshkruan me Aurobindo, Cipla dhe Viatris në mars.

Në një deklaratë në faqen e saj të internetit në atë kohë, MPP tha se prodhuesit e përzgjedhur do jenë në gjendje të zhvillojnë dhe furnizojnë versione gjenerike në 90 vende ‘në varësi të miratimeve të kërkuara rregullatore që po merren’.

Ilaçi jepet si një injeksion i administruar gjashtë herë në vit dhe niset me një injeksion të vetëm 600 mg (3 ml) të dhënë çdo dy muaj, sipas MPP. Megjithatë, një person duhet të ketë një test negativ HIV-1 përpara se ta marrë atë.

Në Afrikën e Jugut, ViiV Healthcare mban patentën për CAB-LA deri në vitin 2031, duke kufizuar konkurrencën. Viiv gjithashtu njoftoi se ka marrë miratimin rregullator për përdorimin e ilaçit në Shtetet e Bashkuara, Australi, Zimbabve, Afrikën e Jugut dhe Malavi për të rriturit dhe adoleshentët në rrezik.