Sekretari Organizativ i Rithemelimit të PD-së Klevis Balliu tha sot se zgjedhjet vendore të 14 majit janë manipuluar.
I ftuar në rubrikën ‘Opinion’ në News24, Balliu tha se Kamza është prova më e qartë e manipulimit të zgjedhjeve.
“Ndër vite një pushtet vjen duke rënë. Në Kamëz PD një vit më parë ka qenë 10 mijë vota më parë. Sot del Suli 12 mijë vota. Ndërkohë duhet të kishte ndodhur e kundërta. Vetë rezultati është një provë e manipulimit të votës. 180 mijë qytetarë nuk gjetën emrin në listë. Mbi 1 milionë qytetarëve iu ndryshua qendra e votimit, 10 mijë u punësuan në administratë. Fondi i Ndihmës Ekonomike u shtua me 900 milionë euro lekë gjatë fushatës elektorale. 850 mijë qytetarë fituan para shtesë gjatë fushatës elektorale. Votimi elektronik në Kamëz ka pasur një problem, operatorët shoqëronin qytetarët të votonin, gjë që nuk lejohet. Në rastin e Kamzës, administratori i bashkisë shkon dhe kërkon votën në këmbim të parave. Ai arrin dhe bën presion që do japë 200 euro për të dhënë kartën e identifikimit. Këtë provë e çuam në SPAK dhe u kërkua të merrej masa.” – tha Balliu.
Ai komentoi më tej gjendjen në selinë blu duke theksuar se Berisha duhet të zbatojë statutin e miratuar të PD-së duke kërkuar rikonfirmim në krye.
“Sali Berisha duhet të ndjekë statutin. I kemi kërkuar dorëheqjen Bashës. Statuti përcakton që do shkosh dhe do rikonfirmohesh në parti. Edi Rama bëri gjithçka që ne të mos futemi në zgjedhje. Do vije radha edhe e këtyre. Do fshihen si Tahiri. Zgjidhja e problemave në Shqipëri është kthimi te morali, që të vërtetën ta themi në sy. Njerëzit që s’kanë bërë fushatë, s’kanë të drejtë të flasin. Nuk e di nëse kanë dalë për të votuar vetë. Bashkimi duhet të vijë në bazë të moralit. Protestat, edhe kjo duhet po nuk duhen marrë vendime të shpejta. Por protesta në një vend që s’ka liri, demokraci, ku qytetari është skllav, është e domosdoshme.” – shtoi ai.