Vendosni fjalën kyçe....

Porositi vrasjen e Devi Kasmit, dënohet me burgim të përjetshëm Aurel Hoxhallari


 

Është dënuar me burgim të përjetshëm Aurel Hoxhallari, pjesë e grupit që vrau Devi Kasmin.

Kujtojmë se Devi Kasmi u ekzekutua në Tiranë, nga dy persona me motoçikletë, që qëlluan mbi 41-vjeçarin, pesë herë, në kokë dhe në trup.

Porositës i kësaj vrasjeje rezultoi Aurel Hoxhallari.

Njoftimi i plotë:

PËR KËTO ARSYE:

Gjykata, bazuar në nenet  112, 375, 379, 380, 383, 384, 390, 393, 415, si dhe 190 të Kodit të Procedurës Penale

VENDOSI:

1.Deklarimin fajtor të të pandehurit Aurel (alias Altin) Hoxhallari për kryerjen e veprës penale “Vrasja me paramendim për interes”, kryer në bashkëpunim, në formën e grupit të strukturuar kriminal, parashikuar nga nenet 78/2, 28/4 si edhe në bazë të nenit 334, pika 3 të Kodit Penal, dënimin e tij me burgim të përjetshëm.

1.1.Deklarimin fajtor të të pandehurit Aurel (alias Altin) Hoxhallari për kryerjen e  veprës penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”, kryer në bashkëpunim, në formën e grupit të strukturuar kriminal, parashikuar nga nenet 278, pika 1, 28/4 si edhe në bazë të nenit 334, pika 1 të Kodit Penal, dënimin e tij me 11 vjet burgim.

1.2. Deklarimin fajtor të të pandehurit Aurel (alias Altin) Hoxhallari për kryerjen e  veprës penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”, e kryer në sasi të mëdha dhe në bashkëpunim në formën e grupit të strukturuar kriminal, parashikuar nga nenet 278, pika 7, 28/4 si edhe në bazë të nenit 334, pika 1 të Kodit Penal, dënimin e tij me 15 vjet burgim.

1.3. Deklarimin fajtor të të pandehurit Aurel (alias Altin) Hoxhallari për kryerjen e  veprës penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, e kryer ne bashkëpunim në formën e grupit të strukturuar kriminal, parashikuar nga nenet 283, paragrafi i parë, 28/4 si edhe në bazë të nenit 334, pika 1 të Kodit Penal, dënimin e tij me 11 vjet burgim.

1.4. Deklarimin fajtor të të pandehurit Aurel (alias Altin) Hoxhallari për kryerjen e  veprës penale “Kultivimi i narkotikëve”, kryer në bashkëpunim në formën e grupit të strukturuar kriminal, parashikuar nga nenet 284, paragrafi i parë, 28/4 si edhe në bazë të nenit 334, pika 1 të Kodit Penal, dënimin e tij me 9 vjet burgim.

1.5. Deklarimin fajtor të të pandehurit Aurel (alias Altin) Hoxhallari për kryerjen e  veprës penale “Grupi i strukturuar kriminal”, parashikuar nga neni 333/a, paragrafi i parë i Kodit Penal dhe dënimin e tij me 5 (pesë) vjet burgim.

2.Në aplikim të nenit 55, paragrafi i parë i Kodit Penal, bashkimin e dënimeve dhe dënimin përfundimtar të të pandehurit Aurel (alias Altin) Hoxhallari me burgim të përjetshëm.

2.1. Në mbështetje të nenit 15, 16 pika 1, gërma a) të ligjit Nr. 81/2020 “Për të drejtat dhe trajtimin e të dënuarve me burgim dhe të paraburgosurve”, këtë dënim, i pandehuri Aurel (alias Altin) Hoxhallari, ta kryejë në një Institucion të Sigurisë së Lartë, duke filluar vuajtja e dënimit nga dita e ekzekutimit të këtij vendimi.

3.Në lidhje me provat materiale, gjykata konstaton se është disponuar për to me vendimin nr.16, datë 10.09.2020 të Gjykatës të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, vendim i cili është lënë në fuqi me vendimin nr.03, datë 01.03.2021 të Gjykatës së Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.

4.Shpenzimet procedurale të kryera gjatë fazës së hetimeve (sipas formularit përkatës), i ngarkohen të pandehurve solidarisht, së bashku me bashkë të pandehurit e tjerë dhe shpenzimet gjyqësore sipas formularit bashkëlidhur, i ngarkohen të pandehurit Aurel Hoxhallari.

5.Kundër këtij vendimi lejohet ankim brenda 15 (pesëmbëdhjetë) ditëve, në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, duke filluar ky afat nga dita e nesërme e njoftimit të këtij vendimi.

U shpall në Tiranë, sot më datë 19.05.2023.   

 

  GJYQTARE                                      GJYQTARE                                   GJYQTAR

IRENA GJOKA                     FLORA HAJREDINAJ                                ERJON BANI

 

  SEKRETARE

BORA TOTOLAKU