Opozita dhe mazhoranca në Komisionin e Ligjeve kanë rënë dakord për rritjen e pagave për punonjësit e administratës publike dhe institucionet e tjera kushtetuse dhe të pavarura.
E pranishme ishte edhe ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj e cila shpjegoi se do të përfitojnë 130 331 punonjës të administratës. Nga kjo rritje e pagave nuk do të preken deputetët dhe ministrat.
“Nga ligji përfitojnë 250 funksionarë politikë, që pagën e kanë të lidhur me atë të presidentin. Efekti financiar llogaritet 20 mln lekë. Paga e presidentit rritet në 425 000 lekë, nga 257 000 që është aktualisht. Koeficientet, që lidhen me kuvendin dhe qeverisë, ato janë përjashtuar pa ndryshuar nivelin aktual të pagave, për ta parë në një moment të dytë. Grupet e prekura indirektë administrata qendrore dhe vendore. Shtrihet në dy vite efekti. Kostoja totale e kësaj politike 39 mld lekë në 1 janar 2025. 1 mld lekë, efekti i zbatimit të vendimit të GJK për vitin 2023. Në total 130 330 punonjës”, tha Ibrahimaj.
Organet që do të kenë kompetencë për të përcaktuar pagat janë Kuvendi, Këshilli i Ministrave, Këshillat Bashkiakë, Organet Kolegjialet drejtuese, Organet Kolegjiale drejtuese të institucioneve të pavarura. Duke qenë se paketa ligjore nuk parashikon rritje të pagës për deputetët dhe ministrat, pati debate në mbledhjen e ‘Ligjeve’.
Ndërkohë deputeti Saimir Korreshi tha se njerëzit nuk duhet të punojnë vetëm për bukë dhe ujë por edhe për të jetuar. Ai kërkoi që të kthehen sytë edhe nga pensionistët, por Ibrahimaj iu përgjigj se po punojnë për rrugën që çon reformën e pensioneve.