Vendosni fjalën kyçe....

Tim Scott, i vetmi republikan me ngjyrë në Senatin e SHBA-së, do kandidojë për president


Senatori republikan amerikan Tim Scott ka hyrë në garën presidenciale të vitit 2024, sipas një dosjeje në rregullatorin zgjedhor të SHBA-së të premten.

Fëmija i varfër i një nëne beqare dhe i vetmi republikan me ngjyrë në Senatin e SHBA-së, Scott shpesh tregon historinë e tij personale si provë se Amerika mbetet një tokë e premtuar.

Në gjurmët e fushatës, para tij në garë janë futur ish-presidenti Donald Trump e guvernatori i Floridës Ron DeSantis, të cilët e kanë portretizuar SHBA-në si një komb në rënie që ka nevojë të shpëtohet nga elita e korruptuar e majtë.

Rreth 92% e votuesve me ngjyrë mbështetën demokratin Joe Biden në zgjedhjet presidenciale të vitit 2020, ndërsa 55% e votuesve të bardhë mbështetën Trumpin.

Ndërsa Scott ka përshkruar se është viktimë e paragjykimeve racore, ai ka këmbëngulur vazhdimisht se Amerika nuk është një vend racist.

Vetëm rreth 2% e republikanëve planifikojnë të votojnë për të në zgjedhjet paraprake, sipas mesatareve të sondazheve, dhe njohja e emrit të tij në mbarë vendin mbetet e ulët. Mbi gjysma e republikanëve planifikojnë të votojnë për Trump dhe rreth një e pesta favorizojnë DeSantis, i cili pritet të hyjë në garë në ditët në vijim.

Megjithatë, shanset e Scott mund të jenë më të forta se sa duken në letër, shkruan Reuters.

Ai është i njohur dhe i pëlqyer në shtetin e tij të Karolinës së Jugut, i cili luan një rol vendimtar në garën për nominimin e republikanëve, pasi është shteti i tretë që hedh votat.

Scott gjithashtu ka një raport të fortë me donatorët. Larry Ellison, bashkëthemeluesi i Oracle, ka qenë një mbështetës i vazhdueshëm dhe po planifikon të mbështesë senatorin.

Andy Sabin, një manjat i metaleve dhe donator republikan, i tha Reuters në fillim të këtij muaji se po e ndryshonte ‘besnikërinë’ e tij duke mbështetur Scott nga DeSantis që kishte mbështetur më herët mes shqetësimeve për zgjedhjen e DeSantis.