Vendosni fjalën kyçe....

Vuçiç: S’do ketë kurrë Kosovë të pavarur


Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, tha të premten në një takim të Partisë së tij Progresive Serbe (SNS) se ka pritje që Serbia ta dorëzojë Kosovën ‘në pjatë’.

“Bëni çfarë të doni, jashtë dhe brenda, nuk do e lejoj që të shkatërrohet Serbia, dhe nuk do të ketë Kosovë të pavarur.” – ka thënë Vuçiç.

Vuçiç ka thënë se ai nuk do të lejojë që qeverisja të ndryshohet me forcë, nën ndikimin e tjerëve, dhe as të zbatojë politika kundër interesave të Serbisë.

Ai ka thënë se nuk do t’iu ‘shërbejë’ kurrë të huajve, shkruan REL.

“Ata nuk do ta udhëheqin politikën e jashtme të Serbisë. Ata nuk do të vendosin për mua se kë ta sanksionoj, njerëzit do e vendosin, ata nuk do vendosin për mua nëse Serbia do t’i bashkohet NATO-s, njerëzit do e vendosin.” – ka thënë Vuçiç.

Kosova e Serbia, i kanë nisur negociatat për normalizim të marrëdhënieve më 2011, nën ndërmjetësim të Bashkimit Evropian.

Në shkurt të këtij viti, Vuçiç e Kurti arritën pajtueshmërinë për Marrëveshjen për Normalizim të Marrëdhënieve dhe në mars për aneksin e zbatimit të saj.

Marrëveshja me 11 nene, e bërë publike më 27 shkurt, nuk e detyron Serbinë ta njohë Kosovën, por kërkon nga të dyja vendet që t’i pranojnë dokumentet dhe simbolet e njëra-tjetrës, përfshirë  pasaportat, diplomat e targat.