Vendosni fjalën kyçe....

VW largohet përfundimisht nga Rusia, shet asetet për 125 milionë euro


Prodhuesi i dytë më i madh i makinave në botë, Volkswagen Group (VW), ka përfunduar shitjen e biznesit të tij në Rusi te grupi lokal i tregtarëve të automjeteve Avilon, si pjesë e daljes së tij nga vendi, tha VW në një deklaratë të premten. Marrëveshja është miratuar nga qeveria ruse, shtoi kompania.

Shitja përfshin fabrikën kryesore të prodhimit Kaluga në jugperëndim të Moskës, e cila punëson rreth 4,000 njerëz dhe ka kapacitetin për të montuar 225,000 automjete në vit. Si pjesë e marrëveshjes, VW ka shitur gjithashtu biznesin e saj të shpërndarjes dhe atë pas shitjes. Njësitë e magazinimit dhe shërbimeve financiare do t’i transferohen gjithashtu pronarit të ri, tha kompania.

Firma nuk ka dhënë hollësi mbi marrëveshjen, por mediat kanë thënë se prodhuesi i makinave do merrte rreth 125 milionë euro nga shitja, shumë më pak se vlera e tainishme e aseteve ruse të VW.

Volkswagen, së bashku me prodhuesit e tjerë të mëdhenj të huaj të automjeteve, pezulluan operacionet në Rusi vitin e kaluar pasi vendet perëndimore vendosën sanksione ndaj Moskës për sulmin e saj ndaj Ukrainës.

Prodhuesi gjerman i automobilave ndaloi prodhimin në Kaluga marsin e kaluar për shkak të ndërprerjeve në zinxhirët e logjistikës për shkak të sanksioneve. Importi i makinave dhe pjesëve rezervë në Rusi pushoi gjithashtu dhe kompania mbylli montimin e automjeteve në një fabrikë në Nizhny Novgorod që i përkiste një prodhuesi rus të automjeteve tregtare.