Vendosni fjalën kyçe....

Jakov Millatoviç betohet si president i Malit të Zi


Duke lexuar tekstin e betimit para deputetëve të Parlamentit të Malit të Zi, ministrave, përfaqësuesve të trupit diplomatik dhe liderëve të vendeve të rajonit, Jakov Millatoviç zyrtarisht mori detyrën e presidentit të Malit të Zi.

“Betohem se do të kryej detyrën e presidentit me përgjegjësi, nder, ndërgjegje, drejtësi dhe paanshmëri. Sipas Kushtetutës dhe ligjit”, tha Millatoviç në sallën plenare të Parlamentit të Malit të Zi, gjë që shënoi fillimin e mandatit të tij pesëvjeçar presidencial.

Në fjalimin e tij inaugurues, Millatoviç tha se ishte i nderuar dhe krenar që mori detyrën e presidentit duke bërë betimin:

Do të jem një president i vërtetë i të gjithë qytetarëve, pavarësisht përkatësisë së tyre kombëtare, politike apo fetare”.

Momenti aktual ka karakter historik, tha presidenti i ri malazez, duke u shprehur se ndryshimi i strukturës politike dhe konsolidimi i demokracisë ngjall shpresë, se në një mjedis më të lirë do të zgjidhen çështjet e hapura të rëndësishme për të ardhmen e Malit të Zi.

Rreth 200 personalitete marrin pjesë në inaugurimin, gjegjësisht në ceremoninë e betimit, që zhvillohet në Parlamentin e Malit të Zi, duke përfshirë zyrtarë nga vendet fqinje, ambasadorë dhe të dërguarin e posaçëm të Shteteve të Bashkuara të Amerikës [SHBA], Gabriel Escobar.

Në ceremoni janë të pranishëm edhe deputetë të Kuvendit të Malit të Zi, përfaqësues të qeverisë, organeve të drejtësisë, si dhe presidenti i deritashëm i Malit të Zi, Millo Gjukanoviç, të cilin Millatoviç e mposhti bindshëm në raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale, në fillim të prillit./ REL.