Vendosni fjalën kyçe....

Mbërrijnë ushtarët dhe pajisjet amerikane për stërvitjen “Defender 23”, ambasada e SHBA-së publikon foto


Në vendin tonë do zhvillohet një prej stërvitjeve ushtarake më të mëdha të europës “Defender 23” ku përgatitjet e saj janë drejt fundit. Sot kanë mbërritur në Shqipëri ushtarët dhe pajisjet amerikane.

Ambasada Amerikane në Tiranë ka publikuar disa foto nga këto momente, ku shkruan në një status  se stërvitja e përbashkët shumëkombëshe e drejtuar nga Komanda Europiane e SHBA është projektuar për të ndërtuar gatishmërinë dhe ndërveprueshmërinë midis aleatëve dhe partnerëve të SHBA dhe NATO-s.

“Stërvitja defender23 rikthehet në Shqipëri! Ushtarët dhe pajisjet amerikane janë tashmë në Shqipëri dhe ne presim me kënaqësi fillimin zyrtar të stërvitjeve këtu javën e ardhshme. Stërvitja e përbashkët shumëkombëshe e drejtuar nga Komanda Europiane e SHBA është projektuar për të ndërtuar gatishmërinë dhe ndërveprueshmërinë midis aleatëve dhe partnerëve të SHBA dhe NATO-s. Më shumë se 20 vende aleate dhe partnere do marrin pjesë në Defender23.  Bashkohuni me ne të hënën, më 22 maj në orën 10:00 në sheshin Nënë Tereza në Tiranë”, njofton ambasada.

Stërvitja ‘Defender’ do të nisë më 22 maj dhe do të zhvillohet deri më 2 qershor. Stërvitja përfshin më shumë se 7,000 anëtarë të shërbimit të SHBA dhe 17,000 trupa shumëkombëshe nga më shumë se 20 vende aleate dhe partnere. Stërvitja do të ushtrojë aftësinë e Ushtrisë Amerikane në Evropë dhe Afrikë për të shërbyer si Komandë e Bashkuar e Komponentit të Forcës Tokësore, dhe si partner i sigurisë në rajonet me rëndësi strategjike të Ballkanit dhe të Detit të Zi, ndërsa mbështet aktivitetet në Evropën Veriore dhe Afrikë.