Vendosni fjalën kyçe....

Auron Tare: A duhet retushuar historia?


Pasi u zbulua disa ditë më parë restaurimi i Mozaikut te Muzeu Kombëtar, Auron Tare ka shkruar mbi historinë ndryshimit të saj në periudhën post komuniste.

Tare shkruan se menjëherë pas rënies së komunizmit veprës iu hoq Ylli Nga flamuri veprim i cili nxiti debat mes specialistëve të Trashëgimisë në atë kohë.

Sipas tij heqja menjëherë pas rënies së komunizmit e Yllit mund ta justifikonte në atë kohë retushimin e veprës ndërsa heqja e Yllit të madh pas figurës së gruas dhe heqja e “Librit” nga dora e punëtorit në Mozaik ishte një ndërhyrje që hiqte një pjesë të mirë të kuptimit të asaj vepre të realizmit socialist.

Tare ngre disa pyetje nëse pas restaurimit me fonde të Bashkimit Evropian mos duhej që të rikthente në vepër pjesët e hequra me të drejtë në atë kohë.

Ai ngre pikëpyetje mbi mësimin e historisë me retushime nga brezat e rinj.

Postimi i plotë:

A duhet retushuar historia?

Historia e Mozaikut të Tiranës.

Heqja e Yllit nga Flamuri gjatë periudhës së Berishës së pare ishte pjesë e një debati midis specialistëve të Trashëgimisë Kulturore. Koha menjëherë pas rënies së komunizmit mund ta justifikonte disi këtë retushim historik në një prej veprave më madhore artistike të periudhës së realizmit socialist. Ndërkohë heqja fare e Yllit të madh pas figurës së gruas dhe heqja e Librit nga dora e punëtorit në Mozaik ishte një ndërhyrje që i hiqte një pjese të mirë të kuptimit kësaj vepre të realizmit socialist. ( përsëri në atë kohe)

Restaurimi i pritshëm me një fond të Bashkimit Europian e konsolidoi veprën nga gjendja strukturale por nuk ktheu pjesët e hequra me pa të drejtë nga një vepër që i përket një epoke tashmë të përfunduar.

A duhet retushuar historia në këtë mënyrë? A duhet që periudha post komuniste të veprojë me të njëjtin standard si praktikat e periudhës komuniste e cila retushonte historinë përpara saj?

A ka rrezik që ashtu si brezi i lindur dhe rritur në komunizem i cili e mësoi historinë të deformuar, edhe brezi post komunist të ndjekë te njëjtën mënyrë të mësuarit të historisë?

A duhet një vepër e financuar nga fonde europiane të përfaqesojë një histori të retushuar?