Vendosni fjalën kyçe....

Escobar: Kosova dhe Serbia të zbatojnë marrëveshjen deri në fund të verës


I dërguari special i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, tha se marrëveshja për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Serbisë e Kosovës është arritje e madhe dhe se ajo paraqet një ‘hap historik përpara’ në zhvillimin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve.

Në një intervistë për agjencinë Mina, Escobar tha se ‘nuk sheh arsye pse marrëveshja për çështjet e mbetura të mos mund të arrihet deri në fund të verës, shkruan REL.

“Edhe nga Kosova pritet të formojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe. Është obligim”, tha Eskobar.

Ai tha se Shtetet e Bashkuara duan që këto procese të zhvillohen sa më shpejt që të jetë e mundur.

“Nuk shoh asnjë arsye pse të mos mund të përfundojë deri në fund të verës”, tha Escobar.

Më 27 shkurt, Kosova dhe Serbia arritën marrëveshjen për normalizimin e marrëdhënieve në Bruksel, ndërsa më 18 mars, në Ohër, u pajtuan për zbatimin e aneksit të marrëveshjes.