Vendosni fjalën kyçe....

Franca heton posterat që krahasojnë Macron me Hitlerin


Autoritetet e qytetit francez të Avignon kanë hapur një hetim pasi në rrugë u shfaqën postera që krahasonin presidentin Emmanuel Macron me Adolf Hitlerin, raporton AFP, duke cituar zyrën e prokurores publike të qytetit, Florence Galtier.

Sipas zyrtarëve, shkelësit do përballen me dy muaj burg dhe një gjobë prej 7,500 eurosh si dhe një gjobë prej 12,000 eurosh për fyerje të presidentit.

Rreth 30 postera anti-Macron të ngjitur në tabela reklamuese u zbuluan të enjten. Ata e shfaqën presidentin francez me flokë të thinjura dhe me numrin 49.3 në fytyrë, që dukej si një mustaqe e vogël e zezë. Bëhet fjalë për një referencë ndaj nenit 49.3 të Kushtetutës franceze, të cilën qeveria e përdori në mars për të miratuar reformën e saj të diskutueshme të pensioneve pa siguruar mbështetjen e parlamentit.

Sipas mediave franceze, posterat përfshinin një citim nga Mahatma Gandhi për ‘detyrën e shenjtë’ të mosbindjes civile kundër një shteti ‘të paligjshëm ose të korruptuar’.

Posterët janë një riprodhim i një muraleje të pikturuar nga një artist lokal grafiti në një parking në Avignon muajin e kaluar. Murali u shkatërrua shpejt me kërkesë të autoriteteve lokale.

Reforma e pensioneve e Macron, e cila do rrisë moshën e pensionit nga 62 në 64 vjeç, ka ndezur protesta në Paris dhe qytete të tjera, disa prej të cilave u shndërruan në trazira dhe përleshje me policinë. Përdorimi i nenit 49.3 u kritikua ashpër nga opozita.

Në vitin 2021, një pronar billbordi u gjobit me 10,000 euro për paraqitjen e Macron si Hitler në shenjë proteste kundër kufizimeve të Covid-19.