Policia gjermane, më 21 maj, nisi një hetim për helmimin e mundshëm të disidentëve rusë në Berlin, pasi një gazetar dhe aktivist raportoi probleme shëndetësore, pas një takimi të disidentëve në kryeqytetin gjerman, në muajin prill, tha policia gjermane, raporton AFP.
“Hetimi është në vazhdim e sipër”, tha një zëdhënës i policisë së Berlinit për AFP-në, duke konfirmuar raportin e gazetës gjermane Die Welt.
Pas një takimi të disidentëve rusë në Berlin, më 29 dhe 30 prill, dy pjesëmarrës shfaqën probleme shëndetësore, njoftoi këtë javë një agjenci e mediave hulumtuese ruse.
Takimi u organizua nga ish-oligarku i mërguar dhe kritiku i Kremlinit, Mikhail Khodorkovsky.
Një nga pjesëmarrësit, gazetar që u largua së fundmi nga Rusia, përjetoi simptoma të paspecifikuara gjatë ngjarjes dhe tha se ato mund të kenë filluar më herët.
Atij iu desh të trajtohej në Spitalin universitar Charite në Berlin, ku edhe lideri i opozitës ruse Alexei Navalny u trajtua nga helmimi, në gusht të vitit 2020, raporton AFP-ja.
Një tjetër pjesëmarrëse, Natalia Arno, drejtore e organizatës joqeveritare Fondacioni Rusia e Lirë në SHBA, ndjeu simptoma kur udhëtoi për në Pragë, pas takimit në Berlin.
Ajo gjithashtu zbuloi se dhoma e saj e hotelit ishte e hapur, raportoi agjencia. Të nesërmen, ajo udhëtoi për në Shtetet e Bashkuara, ku jeton gjatë dhjetë vjetëve të fundit. Atje, ajo iu drejtua për ndihmë spitalit dhe autoriteteve kompetente.
Këtë javë, në Facebook, Arno përshkroi simptomat, dhimbje të forta dhe mpirje. Ajo ka shkruar se simptomat e para të çuditshme janë shfaqur edhe para se të arrinte në Pragë dhe shtoi se ndihet më mirë, por se këto simptoma nuk janë zhdukur plotësisht.
Vitet e fundit, disa kundërshtarë të Kremlinit janë helmuar jashtë vendit, por dhe në Rusi. Moska mohon që shërbimet e saj sekrete janë përgjegjëse për diçka të tillë. Ndërkohë, laboratorët evropianë kanë konfirmuar se Navalny është helmuar me helmin sovjetik Novichok.