Banorët e Kartumit thanë se sulmet ajrore dhe përleshjet midis fraksioneve ndërluftuese të Sudanit vazhduan në kryeqytet, pasi një marrëveshje e ndërmjetësuar nga Arabia Saudite dhe Shtetet e Bashkuara për një armëpushim një-javor nxiti shpresat për ndërprerje të luftimeve.
Marrëveshja, e nënshkruar të shtunën nga Forcat e Armatosura të Sudanit dhe Forcat e Mbështetjes së Shpejtë, pas bisedimeve në Jedah të Arabisë Saudite, do të hyjë në fuqi të hënën në mbrëmje, me një mekanizëm monitorues të mbështetur nga ndërkombëtarët. Marrëveshja gjithashtu lejon dërgimin e ndihmave humanitare.
Që nga fillimi i konfliktit, më 15 prill, njoftimet e përsëritura për armëpushim nuk kanë rezultuar me ndërprerje të luftimeve, por dakordësia në Jedah shënon herën e parë që palët kanë nënshkruar një marrëveshje armëpushimi pas bisedimeve.
Analistët thonë se është e paqartë nëse gjenerali Abdel-Fattah Burhan, që drejton Forcat e Armatosura të Sudanit dhe Mohamed Hamdan Dagalo, që udhëheq Forcat e Mbështetjes së Shpejtë, do të jenë në gjendje të zbatojnë armëpushimin. Më herët, të dy kanë tregar se synojnë fitore në luftë dhe asnjë prej tyre nuk shkoi për bisedimet në Arabinë Saudite.
Edhe pse luftimet vazhduan, si ushtria dhe Forcat e Mbështetjes së Shpejtë konfirmuan gatishmërinë për armëpushim përmes deklaratave të dielën.
Dëshmitarët raportuan përleshje sporadike në Kartumin qendror dhe jugor të dielën në mëngjes, të pasuara nga sulme ajrore, më vonë gjatë ditës, në Kartumin lindor dhe Omdurman, një nga tre qytetet që formojnë kryeqytetin e madh.
Që nga fillimi i luftës, 1.1 milion njerëz janë larguar nga shtëpitë e tyre, duke u zhvendosur brenda Sudanit ose në vendet fqinje, duke krijuar një krizë humanitare që kërcënon ta destabilizojë rajonin.
Pas fillimit të konfliktit, trazirat janë ndezur edhe në pjesë të tjera të Sudanit, veçanërisht në rajonin perëndimor të Darfurit.
Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, rreth 705 njerëz janë vrarë dhe të paktën 5,287 janë plagosur, megjithëse numri i vërtetë i vdekjeve besohet të jetë shumë më i lartë.