Ish-kryeministri Berisha ka akuzuar policinë për vdekjen e të riut Jani Rustemi në QSUT.
Në një shënim në Facebook ai shkruan se i riu vdiq pasi është dhunuar në mënyrë shtazarake nga policia.
Berisha i bën thirrje Avokatit të Popullit të hetojë rastin në fjalë.
“Një krim tjetër horror shtetëror! I riu, Jani Rustemi i ndaluar nga policia, u dërgua në gjendje kome pas keqtrajtimit shtazarak nga kriminelët me uniformë dhe vdiq dje në QSUT. Ai mbahej në paraburgim me akuzën se kishte kishte marrë pa leje një qilim. Familjarët deshmojnë se në paraburgim ndaj Janit është ushtruar dhunë e egër nga banditë me uniformë. Kjo është vrasja shtetërore e radhës nga kriminelë me uniformën e një qytetari të ndaluar nga policia. I shpreh ngushëllimet e mia familjes së të ndjerit dhe dënoj me ashpërsinë më të madhe si vrasje të mirëfilltë shtetërore të Jani Rustemit. I bëj thirrje Avokatit të Popullit të hetojë me përparësi dhe denoncoj publikisht këtë akt kriminal të banditëve me uniformë. I bëj thirrje Komitetit të Antitorturës të Këshillit të Europës të ndërmarrë hetime për vrasjen me tortura të Jani Rustemit dhe shumë të rinjve të tje nga xhelatë me uniformë në burgjet dhe paraburgimet e narkoshtetit të Shqipërisë. sb.” – shkruan Berisha.
27-vjeçari Jani Rustemi ishte arrestuar më 12 prill 2023 pasi akuzohej për vjedhjen e një qilimi.
Ai ishte dërguar në spital në gjendje të rëndë ndërsa humbi jetë në QSUT ditën e djeshme.
Sipas së ëmës, djali i saj ka qenë në gjendje shumë të mirë shëndetësore para se të arrestohej nga policia.
“Jam një nënë me 5 jetimë. Kam problemin e djalit, Jani Rustemi. E arrestuan për vjedhje, kishte arrestuar një tapet një palë atlete. Më erdhi policia në darkë bashkë me çunin, dola jashtë, te furgoni i policisë e kisha djalin. Fola, ishte mirë djali atë ditë. Pastaj pas 4 ditëve më mori në telefon, më tha o ma më sill pasaportën se nuk më regjistrojnë këtu. Ja ku e kam pasaportën e djalit. Nuk kam arritur t’ia çoj. Nuk arrita, nuk kam pasur lekë, thashë kur të bëhem me lekë do shkoj do bëj takim për djalin. Pastaj më morën në telefon policët. Shkoni më thanë se keni djalin sëmurë. Kam shkuar te burgu i policisë. Kam vajtur, kam pyetur te spitali i burgjeve. Nuk e gjeta aty, nuk ishte i shtruar. Pastaj pas disa ditëve më erdhi polici, dy civilë këtu në shtëpi. Shko më thanë filan vend. E ke sëmurë, pak me ftohje. Shkuam në spital. Kam vajtur te Nënë Tereza, çuni ishte në reanimacion, ishte shumë keq. Doktori më tha nuk kam shpresa për djalin tënd. Djalin e kam gjet në spital, në këtë gjendje. Edhe këtë mezi e mora se nuk më linin policia, e mora fshehurazi. Këtu është në reanimacion dhe doktori tha nuk kemi shpresa, vetëm tek duart e Zotit e keni djalin. Doktori tha vetëm që i kanë bërë shumë Metadon. Hashash e dija që binte, por ishte për bukuri.” – deklaronte nëna e Janit Rustemit për emisionin Uniko rreth dy javë më parë.
Njoftimi i policisë për rastin në fjalë
“Me datë 14.04.2023, kohë që ky shtetas ka qenë në Bllokun e Sigurisë te DVP Tiranë, ka shfaqur shqetësime shëndetësore, dhe nga strukturat që merren me sigurimin e të ndaluarve dhe arrestuarve është njoftuar shërbimi i emergjencës mjekësore, të cilët janë paraqitur në ambientet e Bllokut të Sigurisë dhe pas ndihmës mjekësore të dhënë, gjendja e tij është përmirësuar.
Me datë 15.04.2023, ky shtetas është shoqëruar në ambientet e Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, ku kjo Gjykatë ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”.
Me datë 16.04.2023, pas daljes së urdhrit të ekzekutimit të masës së sigurisë nga Prokurori, është përgatitur dokumentacioni i nevojshëm, dhe ky i arrestuar është dërguar në IEVP-313, Tiranë. Autoritetet e IEVP 313, nuk kanë pranuar që ta marrin në dorëzim për shkak të mbingarkesës në këtë institucion dhe në këto kushte ai është rikthyer dhe vendosur përsëri në Bllokun e Sigurisë Tiranë.
Me datë 17.04.2023, shtetasi J. R., ka shfaqur përsëri shqetësime shëndetësore dhe pas ardhjes së emergjencës shëndetësore është transportuar në spitalin “Nënë Tereza”, ku dhe është shtruar dhe në ambientet e spitalit është siguruar me punonjës Policie të DVP Tiranë. Në zbatim të urdhrit të ekzekutimit të Prokurorit, me datë 19.04.2023, në ambientet e spitalint “Nënë Tereza”, është marrë në ruajtje nga strukturat e Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve.
Më datë 30.04.2023, në Komisariatin e Policisë Nr. 3, Tiranë, është paraqitur dhe ka bërë kallëzim shtetasja P. R., (nëna e të arrestuarit) e cila ka ngritur pretendime për trajtimin shëndetësor të djalit të saj.
Strukturat e Komisariatit të Policisë Nr. 3 në bashkëpunim me Drejtorinë e AMP-së Tiranë, kanë administruar kallëzimin e kësaj shtetaseje, kanë sekuestruar të gjithë praktikën procedurale dhe shëndetësore për këtë të arrestuar, kanë pyetur më cilësinë e personit që tregojnë rrethana të dobishme për hetimin, disa punonjës Policie dhe stafin mjekësor të Bllokut të Sigurisë, dhe materialet do ti kalojnë për vlerësim Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë.”