Ish-kandidati i koalicionit “Bashkë Fitojmë”, për Bashkinë e Tiranës, Belind Këlliçi, pas humbjes së zgjedhjeve të 14 Majit në një intervistë për “Klan News” tregoi nëse ka ambicien për të qenë në krye të Partisë Demokratike apo jo.
Këlliçi tha se nëse do ta kishte këtë ambicie do të luftonte dhe do ta kërkonte atë.
Ndërkohë, tani për tani brenda partisë nuk është kjo tema e diskutimit por sipas Këlliçit duhen lënë mënjanë egot personale dhe të ulen të gjithë bashkë për të gjetur një zgjidhje dhe për të mundur Edi Ramën.
“Nuk e di ku ndodh kjo që të kërkojnë që të bëhesh kryetar i një partie politike. Unë nëse do ta kisha këtë ambicie do të luftoja dhe do ta kërkoja këtë ambicie. Unë hyra në një garë tërësisht koshient që është një garë e pabarabartë. Tërësisht i bindur për të gjitha problematikat që do të kisha përballë, për të gjithë makinerinë e pushtetit që kisha përballë. Për të gjithë problemet sa i përket financimit të fushatës. Sa i përket pasqyrimit mediatik. Jam kandidati mbase më i diskriminuar. Kjo është bërë dhe publike. Falënderoj televizionin tuaj që më ka dhënë një hapësirë pothuaj të barabartë mediatike. E falenderoj jashtë mase që ka pasqyruar realitetin, por kjo nuk ka ndodhur me të gjitha mediat. Kam qenë koshient. Kam garuar pa komisionerë dhe pa numërues. Kam qenë koshient për këtë situatë. Kam hyrë për të dhënë shembullin e një të riu që le mënjanë edhe mandatin e deputetit dhe privilegjin që mund t’i japë mandati i deputetit.
Unë nuk e di si e sjell rrethana. Unë nuk e kam kërkuar këtë rrethanë. Nuk është kjo çështje diskutimi për momentin. Nuk është në tryezën e diskutimit dhe nuk është kjo një çështje që më shqetëson mua apo është çështje prioritare e imja. Ajo që mua më intereson është një PD që frymëzon, që rrezaton fitore, që i flet gjithë shoqërisë, një PD e bashkuar dhe që mund Edi Ramën. Se si arrihet këtu janë 1001 pengesa patjetër që duhet të ulemi të gjithë për gjetur një zgjidhje. Duhet të lemë mënjanë egot personale, duhet të ulemi për të gjetur një zgjidhje për të gjithë demokratët. Pa mohuar realitetin”, deklaroi Këlliçi.