Kreu i grupit parlamentar të PS-së Taulant Balla, tha sot se mezi pret të ulet në tryezë me opozitën për të diskutuar reformën në drejtësi, atë zgjedhore e zgjedhjen e Avokatit të Popullit.
Gjatë një deklaratë për mediat ai thekoi se nuk e cakton dot shumica se kush është opozita por e ftoi atë që të ulet sa me shpejt në tryezë për çështjet e lartpërmendura.
“Prej disa muajsh në Kuvendin e Shqipërisë po punohet për një paketë ligjesh që kanë të bëjnë me reformën në drejtësi. Me kolegen Bushka do kërkojmë që me opozitën të kemi mundësi që të flasim në mënyrë që këto ndryshime që vijnë si sugjerime nga institucionet ndërkombëtare, të ecin përpara. Shpresoj që të ulemi si shumicë me opozitën. Ka një grup pune ku maxhoranca dhe opozita kanë punuar së bashku. Unë nuk caktoj dot se kush është opozita në Kuvendin e Shqipërisë. PD është opozita në Kuvend që është shumica e opozitës. Në këtë kontekst, duhet që për hir të punës së përbashkët të ulemi dhe të diskutojmë çështje që meritojnë që të punojmë së bashku. Në këtë këndvështrim, mezi pres që të ulemi dhe të diskutojmë që të votojmë për sa kohë shumica e ligjeve në këtë paketë kërkojnë shumicë prej 3/5 të votave.” – tha Balla.