Vendosni fjalën kyçe....

Berisha: Bandat e urdhëruara nga Rama ndryshuan rezultatin e zgjedhjeve të 14 majit


Sali Berisha përsëriti sot se në zgjedhjet vendore të 14 majit kishte ndërhyrje brutale, antikushtetuese e antiligjore nga kryeministri Rama.

Në një deklaratë për mediat, kreu i Rithemelimit tha se sipas dokumenteve, në  Shkodër bandat e urdhëruara nga Rama bënë gjithçka për ndryshimin e rezultatit të zgjedhjeve.

“Faktohen në mënyrë të pakundërshtueshme ndërhyrjet brutale, antikushtetuese dhe antiligjore të Edi Ramës në kontrollin e votës së zgjedhësve shqiptarë. Dokumentet faktojnë se në Shkodër u bashkuan bandat me armiqësinë më të egër ndaj njëra tjetrës të urdhëruara nga Edi Rama. Bandat e Edi Ramës bënë gjithçka për të ndryshuar rezultatin e zgjedhjeve në shumë zona të vendit. Por bandat ishin një shkrirje me bandat e qeverisë, inxhinierë, drejtorë, punonjës kanë ushtruar terror ndaj qytetarëve me kërcënimin votën ose jetën. Të dënuar rëndë në vende përreth si përdhunues janë vendosur si numërues në qendrat e votimit, të numërimit.” – tha Berisha.

Ai theksoi se e njëjta gjë ka ndodhur në Tiranë e qytete të tjera ku është grabitur dhe ndryshuar vullneti i qytetarëve.

“Si rasti i Devollit, në burgun e grave në Tiranë është votuar 100 % për Erion Veliajn, vetëm një persona dhe ai ishte vëzhguesi ka arritur të votojë ndryshe. Një komision i ngritur po punon me intensitet dhe unë dua të falënderoj të gjithë ata, drejtues, anëtarë, simpatizantë, vëzhgues, komisionerë, kandidatë, që po kontribuojnë në denoncimin e krimit monstruoz elektoral, të farsës 14 maj 2023. Sikundër shtoj se shqyrtimi i thelluar i këtij megakrimi kërkon kohën e duhur dhe qytetarët do ta marrin vesh në çdo hollësi dhe në çdo detaj, pasi është një material shumë, shumë voluminoz që duhet të trajtohet me seriozitetin dhe vërtetësinë më të madhe.” – shtoi Berisha.