Juventusi është dënuar me heqje të 10 pikëve. Ky është vendimi që ka marrë sot Gjykata Federale e Apelit në Itali.
“E thirrur nga Collegio di Garanzia dello Sport për të rishikuar vlerësimin e saj për sanksionin që do t’i vendoset Juventusit për të ashtuquajturën ‘çështja e fitimeve kapitale’, Gjykata Federale e Apelit ka sanksionuar klubin e Juventusit me dhjetë pikë dënimi në renditje”, thuhet mes tjerash në njoftim
Ndërsa, Pavel Nedved, Paolo Garimberti, Assia Grazioli Venier, Caitlin Mary Hughes, Daniela Marilungo, Francesco Roncaglio dhe Enrico Vellano, u liruan nga akuzat.
Juventusi tani do të duhet të presë arsyet nga Gjykata Federale e Apelit, e cila mund të arrijë në fund të majit, në mënyrë që ata të mund të apelojnë në Bordin e Garancive të CONI-t.
Deri para dënimit, Juventusi renditej i dyti në tabelë me 69 pikë – kurse, tani është i shtati me 59.
Derisa skuadra e Max Allegrit do t’i zhvillojë edhe dy ndeshje tjera deri në fund të sezonit, plus këtë sonte ndaj Empolit, matematikisht ka gjasa ende për të siguruar pjesëmarrjen në Ligën e Kampionëve.