Vendosni fjalën kyçe....

Kurti: Serbia i grumbulloi të burgosurit në Dubravë për t’i vrarë e pushkatuar


Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka vizituar sot burgun e Dubravës me rastin e 24-vjetorit të masakrës.

Kurti ka thënë se Serbia i grumbulloi të burgosurit në Dubravë për t’i vrarë dhe pushkatuar.

 “Ky plan dhe kjo ‘zgjidhje përfundimtare’ e ideuar nga Serbia, e bëri burgun e Dubravës një lloj kampi përqendrimi politik, për të burgosurit politikë shqiptarë. Qëllimi ishte jo vetëm eliminimi i tyre politik, por edhe zhdukja e tyre fizike. Se çka ndodhi në burgun e Dubravës mes 19 majit dhe 24 majit të vitit 1999, më së miri e kanë rrëfyer dhe na e rrëfejnë edhe sot dëshmitarët e atyre ngjarjeve, të burgosurit e mbijetuar të masakrës në burgun e Dubravës, që fatmirësisht janë shumë”.

“Si u organizua vrasja masive dhe masakrimi i të burgosurve shqiptarë nga autoritetet e burgut të Dubravës, nga policia e Serbisë si dhe nga të burgosurit ordinerë të mobilizuar prej tyre? Të burgosurit e mbijetuar e kanë rrëfyer historinë e masakrës në burgun e Dubravës nganjëherë deri në detaje ditë pas dite e orë pas ore, bashkë me emrat e atyre që kryen këtë krim lufte, për të cilin ende nuk janë nxjerrur para drejtësisë, përkundër dëshmive dhe dëshmitarëve. E ka rrëfyer Enver Dugolli te libri i tij ‘Qark i (pa)mbyllur burgjesh’, Nait Hasani te vepra ‘Ende jam gjallë’, siç e kanë rrëfyer edhe dhjetëra të mbijetuar të tjerë për Ukë Thaçin te libri i tij për skenarët e masakrës në burgun e Dubravës, ashtu sikur së fundi edhe Asllan Selimi te libri i sapobotuar ‘Tmerri ka emër’”.

Më tej, Kurti thotë se vetë ka dëgjuar për këto gjarje mizore qysh atëherë, pak kohë pas masakrës së burgut të Dubravës, nga po këta të mbijetuar të saj, me të cilët pastaj ishib shokë burgu në Nish, Pozharec e Çupri.

“I kam dëgjuar të rrëfyera nga Nait Hasani, nga Liburn Aliu, nga Bislim Zogaj nga Enver Dugolli, dhe shumë e shumë të tjerë. Sigurisht, pa qenë i sigurt që 24 më pas, do të shkojmë bashkë në burgun e Dubravës kështu siç erdhëm sot, pikërisht për ta kujtuar masakrën e kryer nga Serbia mbi të burgosurit shqiptarë dhe për ta denoncuar këtë krim lufte të kryer nga shteti serb. Për më tepër që e tëra kjo, po ndodhë në rrethana krejt të tjera: me Kosovën Republikë, me shtetin tonë që po ngritet e po forcohet dhe i cili nuk harron dhe nuk falë asnjë krim të kryer gjatë luftës. Ardhja jonë sot këtu, është një vëmendje e obliguar dhe një kujdes i domosdoshëm për trashëgiminë e luftës së viteve 1997 – 1999 në Kosovë, për drejtësinë dhe para historisë”.

Kujtojmë se ​24 vjet më parë në Burgun e Dubravës është kryer njëra nga masakrat më të mëdha në Kosovë kundër shqiptarëve nga regjimi serb i Sllobodan Millosheviçit./KlanKosova.