Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta gjatë takimi me kryesinë është shprehur se duhet që të përgatiten për opozitarizëm.
Gjatë fjalës së tij, Meta është shprehur se ‘këshillat bashkiakë do jenë tribuna të qytetarëve’.
“Është shumë e rëndësishme përgatitja për opozitarizëm në qeverisjen vendore për të garantuar transparencën dhe llogaridhënien. Po kështu caktimi i datës për mbledhjen e konferencës kombëtare të të zgjedhurve vendorë të Partisë së Lirisë.
Të përgatitemi për të rikthyer zërin e opozitës në pushtetin vendor, zë që nuk ekzistonte në 4 vite të pushtetit monist, që solli korrupsionin absolut në pushtetin vendor.
Përfaqësues të opozitës dhe të Partisë së Lirisë tashmë janë këshilltarë në të gjitha bashkitë e vendit, ndaj ne duhet të përgatitemi që tani në mënyrë që transparenca dhe llogaridhënia të nisë që ditën e parë të konstituimit të këtyre Këshillave Bashkiake.
Të nisë transparenca për gjithçka që ka ndodhur në të shkuarën me buxhetin e bashkive. Si është prokuruar, llogari deri më një për çdo lek të taksave të qytetarëve shqiptarë. Gjithashtu për çdo lek që do të shpenzohet nga sot dhe në të ardhmen.
Këshillat bashkiakë do të kthehen në tribunat kryesore të shqetësimeve të qytetarëve. Ato duhet të jenë një front i fuqishëm i transparencës përballë regjimit”-deklaroi Meta.