Vendosni fjalën kyçe....

Rama në ceremoninë e ‘Defender 23’: Shqipëria s’ka qenë kurrë më lart në nivelin e respektit ndërkombëtar


Kryeministri Rama tha në çeljen e ceremonisë së stërvitjes së madhe ushtarake ‘Defender 23’ se Shqipëria nuk ka qenë kurrë më lart në nivelin e respektit ndërkombëtar.

Kreu i qeverisë tha se kjo është hera e dytë që Shqipëria pret një stërvitje të madhe të NATO-s duke e quajtur atë një privilegj të posacëm për ushtrinë shqiptare.

“Shqipëria ka nderin të presë për herë të dytë stërvitjen më të madhe ushtarake në Evropë. Ky është një privilegj i posaçëm për Forcat tona të Armatosura, që janë pritëse dhe pjesëmarrëse. Për herë të dytë kjo stërvitje vë në pah përmirësimin e vazhdueshëm të kapaciteteve tona ushtarake falë edhe mbështetjes së aleatëve tanë amerikanë dhe të tjerë të vendeve të NATO-s. Shqipëria nuk ka qenë kurrë më lart në nivelin e respektit ndërkombëtar. Sot është ulur në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara si  bashkëpembajtëse për çështjen e Ukrainës. Kjo është përgjegjësi e jashtëzakonshme, që vë në duke çfarë pjekurie dhe zhvillimi ka arritur vendi ynë.” – tha Rama.

Rreth 7 mijë  trupa amerikane dhe 17 mijë trupa nga 26 vende aleate dhe partnere do të marrin pjesë në stërvitjen që do të shtrihet në 10  vende të ndryshme evropiane. Në kuadër të stërvitjes rreth 7 mijë  pajisje u dërguan nga SHBA për në Evropë ndërkohë që do të angazhohen edhe 13 mijë pajisje të tjera, të nxjerra nga stoqet e të pozicionuara paraprakisht.

Sipas Pentagonit, ‘Defender Europe 2023’ është krijuar për të demonstruar aftësinë e ushtrisë amerikane për të vendosur me shpejtësi trupa dhe pajisje të besueshme luftarake për të siguruar aleatët, për të penguar ata që do të kërcënonin paqen e Evropë dhe të mbrojë kontinentin nga agresioni. Kujtojmë që të njëjtën stërvitje Shqipëria e priti edhe dy vite më parë.