Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ministrja e Kulturës, Elva Margariti dhe kreu i Bordit të Fondacionit Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim, Michael Granoff, vizituan sot Piramidën e Tiranës.
Veliaj tha se Piramida, pak ditë nga hapja e saj, është shndërruar në objektin më të vizituar të Tiranës.
Veliaj shtoi se sot teknologjia po ndryshon shumë shpejt, ndaj edhe kurrikulat po pasurohen me risitë më të fundit të teknologjisë, që çdo kush të marrë aty dijet për punët e së ardhmes.
“Sot është një ditë e jashtëzakonshme, ndërtesa e Piramidës është hapur, bashkë me disa nga kubat. Sigurisht, ajo mbetet ende kantier, sidomos për pjesën elektronike, për të cilën ne do të shfrytëzojmë periudhën e verës, teksa fëmijët shkojnë me pushime, – të mbarojmë edhe semestrin e qendrës TUMO te Stadiumi – që kur të rikthehen nga pushimet të gjejnë Piramidën e transformuar me të gjitha pajiset teknologjike për kurset e tyre. Sot jetojmë në një kohë kur teknologjia s’po ndryshon shumë shpejt dhe teksa ne përgatitemi për kodimin, tashmë ka dalë Chat GPT, inteligjenca artificiale. Ndaj, do e pasurojmë kurrikulën tonë me risitë më të fundit të teknologjisë dhe të sigurohemi që çunat dhe gocat e Tiranës dhe gjithë Shqipërisë, të marrin vërtet dijet për punët e të ardhmes,” u shpreh Veliaj.
Kreu i Bordit të AADF, Majkëll Granoff u shpreh i lumtur me faktin që kjo godinë do u shërbejë plot 4000 fëmijëve që përfitojnë nga projektet e përbashkëta mes Fondacionit Shqiptaro-Amerikan dhe Qeverisë shqiptare.
“Mendoj se patëm një eksperiencë unike të përjetonim projektin që prej fillimit. Tani mund të shohim, më në fund, sesa e bukur do të jetë ndërtesa dhe pjesa e rëndësishme, mendoj se është kombinimi mes formës dhe përmbajtjes. Programi që do ndërtojmë së bashku, do të aftësojë fëmijët shqiptarë sot, për të qenë të aftë që jo vetëm të konkurrojnë në Shqipëri, por të konkurrojnë në botën e konkurrencës në të cilën ne jetojmë, për të qenë në ballë të ndryshimeve teknologjike që po përjetojmë të gjithë,” deklaroi Granoff.