Deputeti i PD-së Flamur Noka tha pas daljes nga SPAK se ka bërë disa padi për krime zgjedhore, ndërsa sqaroi se sot ishte thirrur për të dëshmuar lidhur me kallëzimin ndaj kryebashkiakes së Roskovecit Majlinda Bufi dhe aplikacionin ‘Aktivisti’.
“Siç jeni në dijeni në këtë fushatë zgjedhore rilindja ka bërë një batërdi dhe në këtë aspekt ne kemi monitoruar dhe kemi paraqitur në SPAK një mori padish për këtë batërdi. Sot isha për të diskutuar në lidhje me dy çështje. Në lidhje me znj. Majlinda Bufi si kërcënuese, shantazhuese e qytetarëve për t’iu devijuar me dhunë votën dhe për të famshmen çështjes të aktivistit që po ashtu shantazhonte, kërcënonte dhe survejonte administratën. Këto të dyja janë krime të rënda zgjedhore dhe ne do t’i shkojmë deri në fund. Të gjitha provat që disponojmë janë dorëzuar dhe çdo dokument që do të disponojmë do ta paraqesim. Hetim penal ka për çështjen e Aktivistit dhe znj. Bufi. Vota me dhunë dhe me presion duhet të marrë fund, vota duhet të jetë e lirë.” – tha Noka.
Sekretari i Përgjithshëm i Rithemelimit shtoi se vendi ka nevojë për zgjedhje të lira duke përsëritur akuzat se koalicioni ‘Bashkë Fitojmë’ është përballur në zgjedhje me shtetin, krimin, paratë e krimit dhe korrupsionit. Noka theksoi se opozita nuk do e ndalë kauzën e saj për votën e lirë.
“Shqipëria ka nevojë për zgjedhe të lira dhe me standarde ku vota të mos kthehet në mall tregu. Koalicioni Bashkë Fitojmë në këto zgjedhje nuk kishte përballë vetëm Rilindjen, por shtetin me të gjitha mekanizmat, krimin, paratë e krimit e korrupsionit, kjo nuk përbën ndonjë risi. Prokuroria dhe policia kanë qenë të gjitha në shërbim të krimit. Policia shoqëronte kriminelët që shpërndanin para dhe shantazhonin. Këtë e di opinioni publik, por nuk do të thotë që ne nuk do t’i qëndrojmë deri në fund kësaj çështjeje. Kauzës sonë për votën e lirë dhe ndarjen e partisë nga shteti ne do t’i qëndrojmë.” – shtoi Noka.