Gjermania raportoi mbi 15,500 raste të abuzimit të fëmijëve në vitin 2022, tha të martën Zyra Federale e Policisë Kriminale, sipas AA.
Presidenti i BKA-së, Holger Munch tha se dhuna seksuale ndaj të miturve mbetet një problem serioz në Gjermani, pavarësisht përpjekjeve të shtuara për të mbrojtur fëmijët.
“Në Gjermani, mesatarisht 48 fëmijë bëhen viktima të dhunës seksuale çdo ditë. Kjo tregon se sa dramatike është situata,” tha ai në një konferencë shtypi në Berlin.
Autoritetet gjermane kryen 15,520 hetime të abuzimit të fëmijëve vitin e kaluar, nga 15,507 raste të hapura në 2021.
Sipas të dhënave zyrtare, 17,437 fëmijë nën moshën 14 vjeç kanë qenë viktima të dhunës seksuale në vitin 2022.
Munch bëri thirrje për reforma dhe më shumë kompetenca për policinë për të luftuar abuzimin e fëmijëve dhe për të mbrojtur fëmijët në mjedisin dixhital.
“Ndalimi i dhunës ndaj fëmijëve dhe dhënia fund e abuzimit seksual janë prioritetet tona kryesore. Por për të kryer hetime të suksesshme na duhen kompetencat e nevojshme dhe një kuadër ligjor më i mirë”, tha ai.
Munch nënvizoi se ata kanë nevojë për rregulla të reja që do të kërkonin që ofruesit e internetit të ruajnë adresat IP të përdoruesve për një periudhë më të gjatë, në mënyrë që ata të mund të identifikojnë bandat kriminale dhe autorët e abuzimit të fëmijëve.