Unioni Amerikan i Lirive Civile paditi Floridan mbi një ligj të mbështetur nga guvernatori Ron DeSantis që ndalon shumicën e qytetarëve kinezë të blejnë shtëpi në shtet.
Ligji, i vendosur të hyjë në fuqi më 1 korrik, shkel mbrojtjen e barabartë dhe garancitë e procesit të rregullt ligjor sipas Kushtetutës duke ndaluar pronësinë e tokës bazuar në ‘racën, përkatësinë etnike, ngjyrën, tjetërsimin dhe origjinën kombëtare’, sipas padisë së paraqitur të hënën në gjykatën federale në Tallahassee.
ACLU paditi në emër të katër qytetarëve kinezë, duke pretenduar se ligji ‘i stigmatizon ata dhe komunitetet e tyre dhe hedh një re dyshimi mbi këdo me origjinë kineze që kërkon të blejë prona në Florida’.
Më shumë se një duzinë legjislatura shtetërore kanë prezantuar projektligje të ngjashme, me shumë që synojnë njerëz nga Kina, tha ACLU. Ligji i Floridës, i pari që hyri në fuqi, vjen në një kohë tensioni të lartë midis SHBA-së dhe Kinës.
Zyra e shtypit e guvernatorit nuk iu përgjigj një mesazhi që kërkonte koment mbi padinë.
Sipas ligjit, shtetasve jo-amerikanë, ‘vendbanimi’ i të cilëve është Kina, u ndalohet të blejnë prona në Florida, ndërsa një rregull i ngjashëm do zbatohet për njerëzit që banojnë përgjithmonë në Kubë, Venezuelë ose ‘vende të tjera shqetësuese’.
Sipas padisë, do bëhen përjashtime për njerëzit me viza jo-turistike ose të cilëve u është dhënë azil, por ata do kufizohen nga blerja e parcelave më të mëdha se dy hektarë ose brenda 8 kilometra nga instalimet ushtarake.
Individët që i përfshin ligji, por që kanë blerë shtëpitë e tyre para 1 korrikut do t’u kërkohet të regjistrohen në shtet, ndërsa shkelësit mund të përballen me akuza penale.
DeSantis, një kandidat i mundshëm presidencial i vitit 2024, ka mbrojtur ligjin e pronësisë së tokës dhe dy projektligje të ngjashme që synojnë kufizimin e ndikimit të Kinës në arsim dhe ruajtjen e të dhënave, duke thënë se ato do ‘kundërshtojnë ndikimin keqdashës të Partisë Komuniste Kineze në shtetin e Floridës’.
“Jam krenar që nënshkruaj këtë legjislacion për të ndaluar blerjen e tokës bujqësore dhe tokës pranë bazave tona ushtarake dhe infrastrukturës së rëndësishme nga agjentët kinezë,” tha DeSantis më 8 maj në një deklaratë në lidhje me ligjet.
Grupi që ngriti padi, akuzoi DeSantis se kishte bërë deklarata gjithëpërfshirëse për blerësit kinezë të shtëpive pa i mbështetur pretendimet.
“Në konferencën e tij për shtyp, Guvernatori DeSantis nuk paraqiti asnjë provë se blerësit kinezë të pronave në Florida janë agjentë të Partisë Komuniste Kineze ose kanë shkaktuar dëm në sigurinë kombëtare,” tha ACLU.
“Në të vërtetë, shteti i Floridës ka dështuar të identifikojë ndonjë lidhje midis pronësisë së pasurive të paluajtshme nga qytetarët kinezë në përgjithësi dhe dëmtimit të supozuar për sigurinë kombëtare.”
Sipas padisë, shumica e ‘ligjeve të tokës së huaj’ në SHBA u shfuqizuan ose u rrëzuan në vitet 1950. Kushtetuta e Floridës ishte e fundit që përfshinte një ligj të tillë, deri në vitin 2018, kur votuesit miratuan një masë votimi për ta shfuqizuar atë.