Ministri i Jashtëm grek Dendias tha pas takimit me ministren Xhaçka se duhet të ketë drejtësi të pavarur.
I ftuar në televizionin Ant1 për të komentuar rezultatin e zgjedhjeve greke Dendias foli dhe për vendimin për zgjatjen e masës së paraburgimit të Fredi Beleri.
“Ministria e Jashtme ka dhënë një njoftim zyrtar. Zgjatja e paraburgimit, bie ndesh me ndjenjën e drejtësisë publike dhe perceptimin europian të shtetit të së drejtës. Por ka edhe gjëra që nuk thuhen në publik”, ka deklaruar Dendias.
“Takova edhe homologen time shqiptare dhe i thashë gjithçka që shumëkush kupton se duhet t’i thosha. Ne nuk duam të vëmë askënd në pozitë të vështirë, por nga ana tjetër jo vetëm qeveria greke, por edhe BE-ja nuk do tolerojë shkeljet e shtetit ligjor nga një vend në Europë”, tha Dendias.
Kandidati i koalicionit Bashkë Fitojmë për Himarën Fredi Beleri u arrestua dy ditë para zgjedhjeve vendore të 14 majit. Dosja e tij ka kaluar në SPAK ndërsa Beleri dhe një person tjetër akuzohen për shitblerje votash.