Përveç produkteve të mishit dhe bulmetit, që pasqyrojnë krizën e sektorit të blegtorisë, importet e produkteve të tjera ushqimore kanë pësuar tkurrje të shpejtë në 4 mujorin e parë të vitit, një trend rënës që ka nisur që vitin e kaluar.
Sipas të dhënave të fundit të INSTAT që i përkasin periudhës janar-prill 2023, importet e ushqimeve në sasi pësuan rënie me 11 për qind. Rënia e ushqimeve në një kohë që prodhimi vendas mbetet i njëjtë dhe më rënie në disa artikuj po zbulon trendet negative të emigracionit dhe dobësitë në konsum prej çmimeve të larta.
Të dhënat më te detajuara tregojnë rënie të madhe të dy grupeve kryesore, sheqernave me 41 % dhe drithërave me 28 për qind. Rënia në këto artikuj është pasqyrim i ndryshimit të popullsisë në favor të plakjes dhe emigracionit të lartë. Vitin e kaluar rreth 30 mijë persona kanë kërkuar azil në Britaninë e Madhe dhe BE, teksa mijëra të tjerë kanë emigruar në mënyrë të rregullt në vendet e BE-së, Kanada, SHBA.
Emigracioni i lartë po shuan nga një qytet në vit me madhësinë e Kukësit. Më shumë se 80 për qind e kësaj grup-moshe janë të rinj dhe përbëjnë konsumatorin kryesor, tha Adi Haxhiymeri nga Shoqata e Përpunuesve të Miellit. Çmimet e grurit në tregjet ndërkombëtarë janë stabilizuar, por importet nuk po rikuperohen nga dobësitë në konsum.
E njëjta situatë edhe në importin e sheqernave, ku konsumi vendas bazohet tërësisht ne import, ndryshe nga drithërat ku ka prani të prodhimit për auto-konsum. Rënia e importeve të sheqernave me 40 për qind në sasi në këtë fillim vit tregon dobësitë në konsum për shkak të emigrimit dhe mungesës së fuqisë blerëse, pohojnë tregtarët e shumicës në tregun tek Uzina Dinamo. Pakësimi i të rinjve që janë konsumatorët kryesore të ëmbëlsirave ka ndikuar në uljen e importeve me bazë sheqerin.
Më rënie dyshifrore të sasive të importit ishin edhe produkte të tjera të ushqimeve si farat, vajrat, peshku, frutat , zarzavatet etj.
Në krahun tjetër rritje të importeve kanë pësuar disa artikuj që lidhen me prodhimin blegtoral. Rritja e importeve në këtë grup më shumë lidhet me krizën në sektorin e blegtorisë se me shtimin e konsumit në këto produkte.
Numri i bagëtive në zonat rurale të vendit po tkurret me shpejtësi nga pakësimi i popullsisë rurale dhe kostove të larta që ka mbarështimi i bagëtive. Prodhimi vendas ka rënë në atë masë duke krijuar një flluskë çmimesh të larta, aq sa edhe prodhimet më cilësore të importit po bëhen konkurruese në supermaketet shqiptare.
Bujqësia shqiptare vuan nga një informalitet i lartë dhe mungesë të dhënash të besueshme. Mungesa e një inventari për nevojat e konsumit të brendshëm për ta ingranuar me prodhimin dhe nga ana tjetër subvencionet e dobëta po mbajnë peng zhvillimin e qëndrueshëm të sektorit./B.Hoxha
VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Monitor