Vendosni fjalën kyçe....

SHBA vendos sanksione të reja ndaj Koresë së Veriut


Shtetet e Bashkuara më 23 maj vendosën një rund të ri sanksionesh të lidhura me Korenë e Veriut.

Në listën e sanksioneve janë vendosur katër organizata dhe një individ për përfshirjen e tyre në fshehjen e fondeve dhe në aktivitete dashakeqe kibernetike, tha Departamenti amerikan i Thesarit.

Një individ, i identifikuar si Kim Sang Man, dhe kompania për bashkëpunim të teknologjisë së informacionit, Chinyong – me seli në Korenë e Veriut – u sanksionuan nga SHBA-ja dhe Koreja e Jugut, për shkak të aktivitetit të tyre në fushën e teknologjisë informative, tha Thesari.

Koreja e Veriut mbikëqyrë mijëra punëtorë të teknologjisë informative në mbarë botën, por shumica e tyre janë të vendosur në Kinë dhe Rusi, tha Thesari. Këta punëtorë “gjenerojnë të ardhura që i kontribuojnë programeve të armëve të shkatërrimit në masë dhe programeve të raketave balistike”.

Këta punëtorë fshehin identitetin e tyre, vendndodhjen dhe prejardhjen e tyre dhe përdorin dokumente të rreme për të aplikuar për punë, thanë autoritetet amerikane.

Tri grupet e tjera të sanksionuara nga Uashingtoni – Qendra Kërkimore 110, Universiteti i Automatizmit në Penjian dhe Byroja e Zbulimit Teknik – paraprakisht ishin sanksionuar nga Koreja e Jugut për përfshirjen e tyre në operacionet kibernetike dhe gjenerimin e paligjshëm të të ardhurave, me të cilat mbështetej programi i armëve të shkatërrimit në masë i Koresë së Veriut, tha Thesari amerikan.

“Veprimet e sotme vazhdojnë të vënë në pah operacionet e gjera e të paligjshme kibernetike dhe të punonjësve të teknologjisë informative të Koresë së Veriut, që financojnë armët e paligjshme të shkatërrimit në masë të regjimit dhe programet e tij të raketave balistike”, u tha në njoftimin e Thesarit.

Thesari theksoi se Byroja e Zbulimit Teknik udhëheqë përpjekjet e sulmeve kibernetike të Koresë së Veriut dhe mbikëqyrë departamente që janë të lidhura me Grupin Lazarus.

Lazarus është akuzuar se ka kryer një prej vjedhjeve më të mëdha në histori të kriptovalutave në mars të vitit 2020. Ky grup pretendohet se ka vjedhur kriptovaluta në vlerë prej rreth 620 milionë dollarësh.