Vendosni fjalën kyçe....

‘Truth Social’ padit Washington Post për shpifje


Trump Media and Technology Group (TMTG), kompania mëmë e platformës ‘Truth Social’ e ish-presidentit amerikan Donald Trump, po padit Washington Post për shpifje, duke pretenduar se ‘shkrimi i fundit i gazetës’ në lidhje me platformën kërcënon ekzistencën e saj.

Padia, e paraqitur të shtunën në qarkun e dymbëdhjetë të Floridës, kërkon 3.78 miliardë dollarë dëmshpërblim dhe ndëshkim.

Shkrimi i 13 majit i Washington Post me titull ‘Grupi i lidhur me një bankë miqësore me pornografinë mund të fitojë një aksion në Truth Social të Trump’, është në qendër të padisë, i cili pretendon se gazeta ‘ka akuzuar në mënyrë të rreme TMTG për mashtrim të letrave me vlerë dhe keqbërje të tjera’.

Historia pretendonte se TMTG fshehu nga aksionerët faktin se po merrte një kredi të supozuar të dyshimtë nga banka Paxum, e cilësuar si një ‘bankë miqësore me pornografinë’, që do t’i jepte një bankieri rus një aksion kontrollues në Truth Social.

Sipas padisë së TMTG, akuzat bazohen në pretendime fiktive të bëra nga ish-punonjësi i pakënaqur Will Wilkerson.

Padia gjithashtu pretendon se shkrimi dashakeq i pengoi përdoruesit e mundshëm të Truth Social të bashkoheshin me platformën.

Trump kishte pohuar më parë se Truth Social po shkonte mirë, duke hedhur poshtë ofertën e shefit ekzekutiv të Twitter, Elon Musk për t’u kthyer në llogarinë e tij vitin e kaluar.