Vendosni fjalën kyçe....

Unioni i Himariotëve protestë para Ambasadës shqiptare në Athinë kundër arrestimit të Belerit


Unioni i Himariotëve ka nisur një protestë përballë ambasadës shqiptare në Athinë kundër arrestimit të Fredi Belerit, kryebashkiakut të zgjedhur në Himarë.

“Në protestën jashtë ambasadës shqiptare janë mbledhur dhjetëra persona, mes të cilëve vëllai i Fredi Belerit, si dhe kryetari i Unionit të Himariotëve, Theodoris Goumas, të cilët kërkojnë lirimin e menjëhershëm të tij”, shkruajnë mediat greke.

“Demokracia nuk burgoset”, është një nga parullat e tyre.

Vëllai i kryebashkiakut të zgjedhur, Leonard Beleri, tha për mediat se ata u përballën me një regjim dhe fituan.

“Ne luftuam me shtetin, me një regjim dhe fituam. Vëllai im është persekutuar për 15 vite nga shteti shqiptar dhe ai është mësuar tashmë. Por ai do vazhdojë të luftojë që padrejtësitë të dalin në dritë,” tha Beleri.