Shoferi i një furgoni U-Haul që u përplas me një pengesë sigurie pranë Shtëpisë së Bardhë të hënën mbrëma është arrestuar me një sërë akuzash, duke përfshirë një kërcënim për të vrarë presidentin amerikan Joe Biden, thonë autoritetet në Uashington, DC.
Sipas një deklarate të Policisë së Parkut të SHBA-së dhënë për NBC News, drejtuesi i mjetit është akuzuar se ka kërcënuar të vrasë, rrëmbejë ose lëndojë presidentin, zëvendëspresidenten dhe anëtarët e familjeve të tyre. Pamjet e incidentit kanë qarkulluar në mediat sociale që nga përplasja, e cila ndodhi rreth orës 22:00 me kohën lokale dhe shkaktoi evakuimin e hotelit aty pranë ‘Hay Adams’.
Hetimet e mëvonshme të automjetit zbuluan se ai nuk përmbante eksploziv dhe vendi i ngjarjes u deklarua i sigurt, thanë oficerët e zbatimit të ligjit për NBC News.
Burri i paidentifikuar – i cili thuhet se është një shtetas amerikan që nuk ishte në asnjë listë mbikëqyrjeje të policisë – gjithashtu përballet me akuza për shkatërrim të pronës federale, shkelje të ligjit, sulm me një armë të rrezikshme dhe drejtim të pakujdesshëm të mjetit, tha policia. Sipas NBC News, i dyshuari bëri ‘deklarata kërcënuese’ për Shtëpinë e Bardhë në vendngjarje përpara se të ndalohej nga policia.
Pamjet nga vendi i ngjarjes tregojnë një flamur nazist që mban një svastikë në tokë jashtë mjetit që me sa duket kishte ardhur nga brenda furgonit, tha një dëshmitar për Reuters.
“Hetimi paraprak zbuloi se shoferi mund të ketë goditur qëllimisht pengesën e sigurisë në sheshin Lafayette”, tha në një deklaratë zëdhënësi i Shërbimit Sekret, Anthony Guglielmi. Ai shtoi se nuk ka pasur lëndime të personelit të Shtëpisë së Bardhë apo të Shërbimit Sekret dhe se Policia e Parkut të SHBA-së do ngrejë akuza kundër të dyshuarit me mbështetjen hetimore nga Shërbimi Sekret.
Vendndodhja e saktë e presidentit Biden dhe zv. Presidentes Harris në kohën e incidentit mbetet e panjohur. Më herët të hënën, Biden kishte zhvilluar diskutime me kryetarin e Konresit Kevin McCarthy, mes një ngërçi midis demokratëve dhe republikanëve rreth rritjes së tavanit të borxhit të SHBA-së për të parandaluar një falimentim financiar të qeverisë.