Vendosni fjalën kyçe....

Lindja e Mesme po ndryshon dhe ne jemi dëshmitarë


Nga Mohammed Alyahya*

Në fjalën e tij hapëse në Samitin e Ligës Arabe në Jeddah të Arabisë Saudite të premten, Princi i Kurorës Saudite Mohammed bin Salman mirëpriti liderët arabë, presidentin ukrainas Vladimir Zelensky dhe më pas presidentin sirian Bashar al-Assad i cili u ripranua në organizatë pas 12 vitesh nga përjashtimi.

Ndërsa aleati i Rusisë u ripranua në Ligën Arabe, kundërshtarit të Putinit iu dha një platformë për të paraqitur çështjen e tij përpara botës arabe. “Mirë se vini në Lindjen e Mesme të re”.

Rikthimi i Sirisë në Ligën Arabe gjatë samitit në Jeddah është kritikuar si një shtysë e udhëhequr nga Arabia Saudite për të “rehabilituar” presidentin sirian Bashar al Assad, udhëheqësin e një Sirie të copëtuar që drejtoi masakrën e gjysmë milioni bashkatdhetarëve të tij dhe zhvendosjen e rreth 11 milionë të tjerëve e ndihmuar nga sulmet ajrore ruse dhe me udhëzimeve në terren të komandantëve dhe ushtarëve të Gardës Revolucionare iraniane.

Kritikët nuk arrijnë të vlerësojnë realitetin e rendit që po lind në rajon, në mungesë të ombrellës të sigurisë amerikane që miqtë dhe armiqtë e kishin pranuar si një fakt të natyrshëm gjatë gjysmëshekullit të kaluar. Pavarësisht nëse liderët e Amerikës dhe njerëzit e mençur të Davos-it kanë të drejtë apo gabim kur vënë bast mbi zhdukjen e afërt të lëndëve djegëse fosile si një burim strategjik, rajoni e ka marrë mesazhin me zë të lartë dhe të qartë: “Elvis has left the building” (shqip…Elvisi ka lënë ndërtesën; shprehje e përdorur për të treguar mesazhin se realiteti i vjetër gjeopolitik ka mbaruar).

Meqenëse vendet nuk mund të zhvendosen aq lehtë sa cisternat e naftës dhe anijet luftarake, udhëheqësve rajonalë nuk u mbetet gjë tjetër veçse të përpiqen të ndërtojnë një modus vivendi — edhe nëse kjo do të thotë të hanë darkë së bashku me kriminelët e luftës.

Nëpërmjet forcës brutale dhe mbështetjes së palëkundur të patronëve të tij, Rusisë dhe Kinës, Bashar al Assad ka arritur të mbizotërojë në luftën kundër popullit të tij, duke i dhënë një fitore strategjike boshtit Rusi-Iran që do ta lejojë atë të kryesojë pafundësisht në një Siria të copëtuar.

T’i japësh Sirisë një vend në tryezë është një njohje e një realiteti që diktatori sirian e ka farkëtuar nga me çelik dhe gjak. Është gjithashtu një fitore për aleatët e tij që lehtësuan sjelljen e tij vrastare. Është e arsyeshme të pritet që të fortët e ardhshëm arabë po u kushtojnë vëmendje këtyre mësimeve të shëmtuara.

Presidenti Zelensky ishte gjithashtu në Jeddah. Prania, e një kundërshtari të vendosur rus dhe simbolit të demokracisë, në Mbretëri për samitin e Ligës Arabe në të njëjtën kohë me Bashar al-Assad-in ilustron anën tjetër të një Lindje të Mesme të re. Ndërsa iniciativat e udhëhequra nga aleatët e SHBA-së u fokusuan në të kaluarën në ruajtjen e rendit të sigurisë së SHBA-së, ky samit i Ligës Arabe bashkon një rajon që nuk mund të ndahet më lehtësisht në kampe të mirëshënuara të kontrolluara nga patronët e superfuqive. Tipari më i dukshëm i këtij peizazhi të ri është një garë për ndikim, fuqi dhe burime që është e hapur për të gjithë lojtarët.

Ndërsa konkurrenca e hapur nuk është në vetvete një gjë e keqe, perspektiva e një rajoni të lirë për të gjithë mbart rreziqe të konsiderueshme – si për interesat amerikane ashtu edhe për stabilitetin rajonal. Pa aleanca dhe rregulla të qarta, kërcënimi për konfliktit të armatosur vetëm mund të rritet.

Mungesa e strategjisë së SHBA-së lë vakum pushteti

Ndërkohë, Shteteve të Bashkuara i mungon një strategji koherente për të menaxhuar interesat e tyre të mbetura në rajon. Edhe nëse qëllimi afatgjatë amerikan është thjesht të fshijë rajonin nga hartat e planifikuesve ushtarakë dhe ekonomikë të SHBA-së, largimi në mënyrë të rastësishme dhe pjesë-pjesë është një recetë për rritjen e kaosit që do të ndikojë negativisht në interesat amerikane, ndërsa do të dëmtojë rajonin në mënyra me efekte të mundshme globale, dhe jo thjesht lokale.

Pekini ka përfituar nga vakuumi i lënë nga Shtetet e Bashkuara, duke ndërmjetësuar së fundmi një marrëveshje në Pekin midis Riadit dhe Teheranit. Armiqësia midis këtyre dy kryeqyteteve bazohet kryesisht në perceptimin e Iranit për Arabinë Saudite që është agjente e rendit amerikan në Lindjen e Mesme.

Në mungesë të këtij rendi, pse duhet të ketë armiqësi? Ndërsa iranianët kanë refuzuar marrëveshjet shumë herë në të kaluarën, garancitë kineze futën një nivel të ri besimi për sauditët. Në të njëjtën kohë, kinezëve u mungon qartë aftësia amerikane për të mbështetur angazhimet e tyre me forcë.

Rivendosja e marrëdhënieve diplomatike të Arabisë Saudite me Sirinë nuk do të thotë se Mbretëria i fal krimet e kryera në atë vend, apo se ajo tani është duke u lidhur me Teheranin ose me Pekinin. Në vend të kësaj, Arabia Saudite e kupton se mungesa e një arkitekture sigurie koherente të mbështetur nga SHBA-ja në rajon, duke i hedhur poshtë pa menduar për aktorët rajonalë – kushdo qofshin ata – s’ka kuptim strategjik.

Aleatët nuk po largohen prej SHBA-së. Në vend të kësaj, ata po ndjekin interesat e tyre kombëtare. Asgjë nuk i ilustron më mirë realitetet e reja të Lindjes së Mesme sesa Mbretëria Saudite që pret Vladimir Zelenskyn dhe Bashar al-Assad në të njëjtën dhomë në Jeddah. Nuk mund të ishin më të qarta si mundësitë ashtu edhe rreziqet e një rajoni që po lihet të menaxhojë problemet dhe rivalitetet e veta, pa garanci dhe udhëzime superfuqish.


VINI RE: Ky artikull u botua për herë të parë nga Al Arabiya English. Marrë nga The Jerusalem Post, përshtati në shqip Hashtag.al

*Mohammed Alyahya është anëtar i lartë në Qendrën Belfer të Shkollës Kennedy, Harvard për Shkencën dhe Çështjet Ndërkombëtare.