Video shqetësuese tregon momentin kur një profesore e kolegjit të Manhattan-it me hanxhar në dorë ndoqi në mënyrë kërcënuese një gazetar dhe fotograf të New York Post në rrugë të martën.
Gazetari veteran Reuven Fenton dhe një fotograf sapo ishin larguar nga godina ku banon Shellyne Rodriguez në Bronx, ku ajo u shfaq me një hanxhar në dorë duke kërcënuar gazetarin pasi ai trokiti në derën e saj për ta pyetur për një video virale në të cilën ajo mallkonte studentët kundër abortit.
Më pas ajo ndoqi gazetarët e The NY Post në rrugë, me hanxhar në dorë, tregon pamjet e kamerave.
Kur fotografi shkrepi një foto të tashmë ish-profesores së artit të ‘Hunter College’ duke iu afruar atyre, ajo filloi ta ndjekë në trotuar, duke e detyruar atë të vrapojë në mes të një rruge të ngarkuar me trafik, sipas videos.
“Nëse të shoh edhe një herë në këtë lagje, do të…!” – u bërtet Rodriguez atyre.
“Shporruni nga lagjja! Shporruni nga këtu!”
Ajo gjithashtu e goditi me shkelm në këmbë gazetarin teksa ai përpiqej të hipte në makinën e tij.
Pak më parë, Rodriguez kishte mbajtur hanxhar drejtuar Fenton-it dhe e kërcënoi se do ta ‘copëtonte’ pasi ai trokiti në derën e banesës së saj.
“Zhdukuni nga dera ime, ose unë do t’ju pres me këtë hanxhar!” – bërtiti ish-profesorja pas derës së saj pasi Fenton u prezantua kush ishte.
Disa sekonda më vonë, ajo hapi derën dhe ia drejtoi hanxharin gazetarit.
“Zhdukini nga dera ime!” – bërtiti ajo vazhdimisht para se të përplaste derën.
Dy punonjësit e NY Post u larguan menjëherë nga ndërtesa. Disa orë pas incidentit të tmerrshëm, Rodriguez u pushua nga puna nga ‘Hunter College’, konfirmoi shkolla e Manhattan.
“Rodriguez është liruar nga detyrat e saj në Hunter College dhe nuk do kthehet për të dhënë mësim në shkollë”, tha zëdhënësi i shkollës Vince Dimiceli për The Post.
Rodriguez u kap në kamera në fillim të këtij muaji duke hedhur fjalë shpifëse ndaj studentëve pro-jetës që kishin ngritur një tavolinë në kampusin e kolegjit. Ajo i hodhi broshurat e tyre në tokë dhe i akuzoi se po bezdisnin studentët e saj.
“Ju nuk po edukoni asgjë. Kjo është propaganda.” – u tha ajo studentëve më 2 maj, sipas pamjeve të postuara në Twitter nga Studentët Pro Jetës.
VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e NY Post
Përgatiti për Hashtag.al, K.Manjani