Vendosni fjalën kyçe....

Dënohet me 18 vite burg drejtuesi i grupit që sulmoi Kapitolin


Themeluesi i grupit ekstremist Oath Keepers u dënua të enjten me 18 vite burg për orkestrimin e një komploti njëjavor që kulminoi me sulmin e ndjekësve të tij në Kapitolin e Shteteve të Bashkuara, për të ndalur çertifikimin e fitores së Joe Biden-it në zgjedhjet presidenciale të vitit 2020.

Stewart Rhodes ishte personi i parë ndaj të cilit u ngritën akuza për sulmin e 6 janarit 2021, që dënohet për komplot për rebelim, dhe dënimi i tij është më i gjati deri më tani ndër qindra çështjet e ngritura ndaj pjesëmarrësve në trazirat në Kapitol.

Dënimi i tij është gjithashtu një tjetër arritje e rëndësishme për hetimin e zgjeruar të Departamentit të Drejtësisë për 6 janarin, që deri më tani ka sjellë dënime për komplot rebelimi ndaj udhëheqësve të dy grupeve ekstremiste të së djathtës së largët, të cilët autoritetet thonë se zbarkuan në Uashington të përgatitur për të luftuar që ta mbanin Presidentin Donald Trump në pushtet me çdo çmim, përcjell VOA.

Përpara se të shpallte vendimin, gjykatësi iu drejtua zotit Rhodes që po mbante një qëndrim sfidues, duke i thënë se ai përbën një rrezik të vazhdueshëm për Shtetet e Bashkuara, dhe duke shtuar se është e qartë që zoti Rhodes “dëshiron që demokracia në këtë vend të kalojë në dhunë”.

“Në momentin që lirohesh, kurdo qoftë kjo, do të jesh i gatshëm të marrësh sërish armët kundër qeverisë tënde”, tha Gjykatësi Amit Mehta.

Kjo ishte një ndër çështjet me më shumë, ndikim të ngritura nga Departamenti i Drejtësisë, që është përpjekur të provojë se trazirat e ekstremistëve të djathtë, si grupi Oath Keepers, nuk ishin protesta të momentit, por ishin kulmimi i javëve të tëra të komplotimit për të përmbysur fitoren në zgjedhje të zotit Biden.

Prokurorët patën kërkuar 25 vite burg për zotin Rhodes, për të cilin thanë se ishte arkitekti i komplotit për ndërprerjen me forcë të transferimit të pushtetit presidencial, ku merrnin pjesë “forca të reagimit të shpejtë” të ndara në skuadra që ishin vendosur në një hotel në Virxhinia, dhe të cilat do të sillnin armë në Uashington në rast se kjo do të nevojitej. Armët nuk u dërguan ndonjëherë.

Në fjalën e tij përpara se gjykatësi të jepte vendimin, zoti Rhodes kritikoi prokurorët si të motivuar politikisht, dhe vuri në dukje se ai nuk hyri ndonjëherë në Kapitol dhe këmbënguli se nuk i tha asnjë personi tjetër që të hynte brenda.

“Jam një i burgosur politik dhe ashtu si Presidenti Trump, krimi im i vetëm është se kundërshtoj ata që po shkatërrojnë vendin tonë”, tha zoti Rhodes.

Për të parën herë ndër çështjet gjyqësore për 6 janarin, Gjykatësi Amit Mehta ra dakort me prokurorët për zbatimin e një dënimi të shtuar për akuzën “terrorizëm”, me argumentin se grupi Oath Keepers u përpoq të ndikonte qeverisjen nëpërmjet “frikësimit dhe shtrëngimit”. Në çështjet e mëparshme, gjykatësin patën rrëzuar kërkesat e Departamentit të Drejtësisë për dënime më të ashpra për terrorizëm, që mund të sillnin burgim më të gjatë – për Gjykatësi Mehta u shpreh se kjo është e përshtatshme për çështjen e zotit Rhodes.

Deri më tani, dënimi më i gjatë ndër çështjet për sulmin ndaj Kapitolit ishte me 14 vite burg për një person me një historik të gjatë penal, i cili pati sulmuar oficerët e policisë gjatë sulmit ndaj Kapitolit. Mbi 500 persona janë dënuar tashmë dhe mbi gjysma kanë marrë dënime me burg, ndërsa pjesa tjetër janë dënuar me arrest shtëpie ose dënime me kusht.